Përfaqësuesit e partive kryesore në vend e ruajtën gjysmë-orën e fundit të afatit që t’i dorëzojnë listat garuese për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Arban Abrashi i LDK-së u shpreh i bindur në fitoren e partisë së tij, përkundër garës që e cilëson të ashpër.
Ndërsa Besnik Bislimi nga Vetëvendosje tha se lista e përbashkët me Vjosa Osmanin mbulon të gjitha sferat, teksa thotë se përfaqësimi i grave këtë herë është më i madhi.
Kurse Endrit Shala paralajmëroi se Nisma do të jetë befasia e këtyre zgjedhjeve.
Nga AAK e PDK nuk u deklaruan për media pas dorëzimit të emrave në KQZ, veçse në komunikimet tjera elektronike shprehen se subjektet e tyre i ofrojnë qytetarëve kandidatë të denjë për deputetë.
Gjithsej, në zgjedhjet e 14 shkurtit do të garojnë 28 subjekte politike, me 1 mijë e 79 kandidatë.
Të hënën, të gjithë emrat do t’u dërgohen një grupi institucionesh për verifikim nëse mund të jenë në garë.
Përgjigja përfundimtare nga këto institucione kthehet më 20 janar.