Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar listën me kandidatë për deputetë. Në listë, Vjosa Osmani është e dyta, pra pas Albin Kurtit ndërkaq ish-deputeti i Osmanit, Haxhi Avdyli është numër 16 në listë.
Ky i fundit, përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se u bashkuan në listën e Lëvizjes Vetëvendosjes për ç’kapjen e shtetit.
Ish-deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, mes të tjerave shkruan se fitoren e thellë të listës së tyre e shohin te qytetarët.
“Edhe pse i linçuar, i shantazhuar, i përjashtuar, por fjalën e dhënë para juve e vlerësova si të shenjtë. Po dal i qetë e ballëhapur para jush. Në këto zgjedhje më 14 shkurt bashkë me Vjosën e 14 guximtarë tjerë do jemi në një listë përbashkët me kolegët nga Vetëvendosja”, shkruan ai.
Ja shkrimi i tij:
Edhe njëherë para jush kësaj here unë Haxhi Avdyli nr 16.
Si nxënësi para mësuesit pres vlerësimin tuaj me votë. Edhe pse i linçuar, i shantazhuar, i përjashtuar, por fjalën e dhënë para juve e vlerësova si të shenjtë. Po dal i qetë e ballëhapur para jush. Në këto zgjedhje më 14 shkurt bashkë me Vjosën e 14 guximtarë tjerë do jemi në një listë përbashkët me kolegët nga Vetëvendosja. Edhe pse të ndryshëm , ne jemi bashkuar për bërë një Kosovë ashtu siq e ëndërruan baballarët tanë , ne, dhe do e duan fëmijët tanë.
Një Kosovë pa korrupsion, pa hajni, pa manipulues, pa zhvatës. U bashkuam për ÇKAPJE, për zhvillim ekonomik, drejtësi të drejtë, shëndetësi e arsim cilësor, e mundësi të barabarta për të gjithë. Fitoren e thellë po e shohim te ju por edhe përgjegjësinë e madhe para vetes. Na pret punë e madhe përpara . Por nuk do ndalemi, as nuk do sprapsemi. Na priftë e mbara . Bashkë me ju.