Pse nuk po kandidojnë për deputetë Kuçi, Beqiri, Kadaj-Bujupi, Abrashi dhe të tjerët?

Aktuale

Pse nuk po kandidojnë për deputetë Kuçi, Beqiri, Kadaj-Bujupi, Abrashi dhe të tjerët?

Më: 18 janar 2021 Në ora: 18:23
Kuvendi i Kosovës

Në zgjedhjet e 14 shkurtit nuk do të garojnë për deputetë disa figura të njohura në organin më të lartë ligjvënës të shtetit. Hajredin Kuçi, Ismet Beqiri, Donika Kadaj-Bujupi e Gazmend Abrashi nuk janë të përfshirë në listat e kandidatëve të subjekteve politike për arsye të ndryshme, të cilat i kanë treguar vetë.

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, qysh në fillim të janarit në një intervistë në Pressing të T7 kishte treguar se nuk do të jetë pjesë e garës zgjedhore. Ai kishte thënë se në zgjedhjet e fundit kishte garuar vetëm pasi këtë ia kishte kërkuar me ngulm ish-kryetari i partisë, Kadri Veseli.

“Edhe më 2019 kam pasur kërkesë nga kryetari Veseli. Nuk mund ta quaj lutje, kërkesë ishte. E kam pranuar atëherë. Mendoj që e meritoj të pushoj kësaj radhe. Edhe pagën e kam marrë përgjysmë në Kuvend. Ndoshta një ambient që ende nuk e kam gjetur vetën. Gjërat po shkojnë ndryshe. Nuk kam qenë pjesë e komisioneve”, ka thënë Kuçi.

Në listën e kandidatëve të LDK-së për deputetë, sivjet nuk do të jetë as Ismet Beqiri, ish-kryetar i Prishtinës dhe deputet në gjashtë legjislatura të Kuvendit. Ai tha se po u lë hapësirë kandidatëve tjerë nga dega e LDK-së në Vranjevc, ku është kryetar.

“Me dëshirën dhe vullnetin tim të plotë kam vendosur që të mos jem pjesë e listës zgjedhore në këto zgjedhje, duke liruar hapësirë për kandidatë tjerë nga Dega ime e pamposhtur, që të jenë kandidatë, pse jo edhe Deputet të ardhshëm”, shkroi ndër tjerash Beqiri në Facebook. Për moskandidimin e tij, ai tha se ka marrë edhe pëlqimin e degës.

Donika Kadaj-Bujupi konsideron se hapësira politike në Kosovë po ndryshon, andaj ajo ka vendosur të mos jetë në listën e asnjë subjekti politik në këto zgjedhje. Ajo tha se për të garuar do t’i ishte dashur të bënte kompromis me bindjet e saj, andaj tha se ka vendosur që të mos jetë pjesë e këtyre zgjedhjeve.

“Duke e parë që hapësira politike sot po ndryshon, dhe duke mos e gjetur shprehjen e organizuar e kolektive për bindjet e mia, unë kam vendosur që në këtë proces zgjedhor të mos garojë. E gjetur mes dy mundësish: të garojë për vete duke bërë kompromis me bindjet e mia, ose te mos marrë pjesë në garë duke bërë kompromis me interesin vetanak, kam zgjedhur të dytën. Më e rëndësishme është t’u mbetem besnike bindjeve të mia, të cilat mund të gjejnë shprehje politike në të ardhmen, se sa të heq dorë nga ato e ta depolitizojë rolin e përfaqësueses”, shkroi ajo ndër tjerash në Facebook.

Ajo i falenderoi kolegët për bashkëpunimin, ndërsa qytetarëve u tha se “do të shihemi prapë”.

Pa ndonjë shpjegim të ngjashëm në Facebook si kolegët e tij në Facebook, deputeti aktiv i AAK-së gjatë legjislaturës së fundit, Gazmend Abrashi, vendosi të mos jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë nga partia e Ramush Haradinajt. Por në një përgjigjje, Abrashi tha se ka qenë dëshirë e tij që të tërhiqet, pa shpjeguar arsyet.

“Jam tërhequr me vetëiniciativë. Nuk do të jem kandidat për kryetar të Mitrovicës”, tha shkurt ai.

Ndërkohë në listën e LDK-së nuk do të jetë Fatmir Rexhepi. Zyrtari që është moti në LDK, në njërën nga seancat e fundit të Kuvendit i përshëndeti kolegët duke treguar se nuk do të garojë më.

“Në zgjedhjet e ardhshme, unë nuk do të jem kandidat për deputet”, tha Rexhepi, i cili disa ditë më vonë kishte shpjeguar arsyet e tërheqjes, që lidheshin me kontributin e tij në Kuvend.

Taulant Kryeziu që në zgjedhjet e fundit ishte në Grupin Parlamentar të LVV-së, ka mbetur po ashtu jashtë listës së kandidatëve për deputetë.

Në një postim në Facebook, ai tha se ishte propozuar nga kryetari i partisë, Albin Kurti, për të qenë në listë, por tha se nuk ka dashur vetë të kandidojë, pa i bërë të ditura arsyet.

“Miq të nderuar,Edhe pse isha i propozuar nga Kryetari Kurti që të jem kandidat për deputet nga lista e Vetëvendosjes, për arsye subjektive kam vendosur që të mos kandidoj për deputet në zgjedhjet e përgjithshme të Republikës. Do të jem krah VV-së në arritjen e suksesit të madh në këto zgjedhje dhe natyrisht edhe mbështetës ndaj Qeverisë në ardhje Kurti 2”, shkroi ai në Facebook.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat