Analisti politik, Ilir Mirena, mbrëmë në Debat Plus në Dukagjin tha se mërgimtarët që e votojnë Albin Kurtin dhe e përkrahin Vetëvendosjen, të kthehen në Kosovë për të jetuar, pasi sipas tij, ata po i besojnë atyre.
Mirëpo ka shumë raste që mërgimtarët janë kthyer në Kosovë, ndonëse kishin jetuar shumë gjatë në mërgim.
Rasti i fundit dhe më i veçanti ishte i Ibrahim Islamit nga Dumnica e Podujevës.
Islami jetoi afër 30 vite në Gjermani, ndërsa vitin e kaluar mori vendim që së bashku me fëmijët të kthehet në Kosovë dhe atyre ua vazhdoi shkollimin në vendin e tij të lindjes.
Ibrahim Islami, i njohur si Bushi, ishte edhe kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës disa vite më parë, dhe është një ndërmarrës i fuqishëm në qytetin ku jeton në Gjermani.
Që nga themelimi i Vetëvendosjes, Islami ishte një ndër aktivistët më të zëshëm të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ai tani e mori vendimin që partinë e Kurtit ta përkrahë nga Kosova, duke lënë Gjermaninë, ani pse atje ishte një biznesmen i suksesshëm.
“Kētë vendim e kam marrë për shumë arsye, e arsyeja kryesore është që fëmijët e mi të jetojnë në vendin e prindërve, gjyshërve, familjes dhe rrethit të tyre. Veç unë e di çka është të jetosh dhe të punosh larg familjes, shoqërisë dhe vendit ku ke lindur”, kishte shkruar ai në Facebook.
Bushi ka kërkuar edhe nga bashkëatdhetarët tjerë shqiptarë të cilët i kanë kushtet që të veprojnë njëjtë.
“Nuk janë vendime të lehta, por që vendit ja kthen rininë e cila po ikin dhe vendi po tkurret. Çdo kthim i rinisë nga perëndimi është vlerë për shtetin e Kosovës, në të gjitha aspektet”, shkruan tutje ai.