Donika Gërvalla, e bija e heroit kombëtar Jusuf Gërvalla, ka folur rreth largimit të saj nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ajo thotë se është munduar të qëndrojë në LDK edhe pas përleshjes që ka ndodhur në Këshillin e Përgjithshëm.
“Momenti kur unë jam larguar nga LDK-ja, nuk është përplasja ime fizike përpara këshillit të përgjithshëm, por edhe pas atyre skenave të shëmtuta unë jam mundu megjithatë brenda LDK-së të përpiqem që me sa më shumë njerëz të realizojmë atë që secili anëtarë e votues i LDK-së e ka kërkuar nga ne. Pra të rrimë në LDK, kujdesemi që LDK-ja të mos mbetet e pareformume dhe të thyhet betoni që e kanë krijuar Isa Mustafa me një pjesë të Kryesisë së LDK-së të cilët të gjithë i njohim. Jam përpjekur që të mbetem aty. Unë jam larguar nga LDK-ja në momentin që konkluzioni im ka qenë që sado djem e vajza të mira të ketë në këtë strukturë të LDK-së, kaq është kryesia e LDK-së, jo e gatshme por tërësisht e paaftë për t’i lejuar ata djem e vajza të mira që të kenë çfarëdo ndikimi minimal në këtë strukturë saqë e kam pa që me këtë strukturë reforma në LDK nuk ka.
Në momentin që unë për vete e kam kuptu që me këtë strukturë nuk bën reformë, atëherë unë kam thënë ‘unë s’kam cfarë kërkoj këtu’”, ka thënë Gërvalla.
Ish-kryetarja e degës së LDK’së në Gjermani është anëtarësuar rishtazi në iniciativën e Vjosa Osmanit ‘Guxo’.
Kjo u bë e ditur nga Osmani e cila ka publikuar një fotografi së bashku me Gërvallën në llogarinë e saj në Facebook.
“Si çdoherë bashkë”, ka shkruar Osmani.
Gërvalla aktivitetin e saj në LDK e kishte zhvilluar në Gjermani. Ka qenë nënkryetare e LDK-së në këtë shtet për periudhën 1993-1997, ndërsa kryetare në periudhën 2015-2018. Ishte anëtare nderi e LDK-së që nga vitit 1991, nderi në shkurt të 2018-s.