Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës, ka akuzuar televizionin e Ekrem Llukës, se është shndërruar në organ të Lëvizjes Vetëvendosje duke prodhuar sondazhe të trilluara dhe lajme të rreme.
Reagimi i Krasniqit vjen pas publikimit të një sondazhi nga Kolegji Riinvest, i cili e ka nxjerrë VV-në si partinë e parë në Kosovë.
Atij për këtë i ka reaguar Arbër Zaimi nga Vetëvendosje, përcjell Bota sot. Zaimi ka thënë se Llukën miliarder dhe oligark e ka bërë PDK-ja.
Zyrtari i VV-së ka akuzuar PDK-në se u ka dhënë “borxhe” dhe bërë “ndere” oligarkëve.
Postimi i Zaimit në Facebook:
Ekrem Llukën miliarder dhe oligark e ka bërë PDK-ja që ka rritur dhe Memlin. Sapo morën në listë dhe Ramiz Kelmendin.
Nëse ka dhënë e ka marrë dikush “borxhe” dhe “ndere” prej oligarkëve, ato janë partitë e vjetra, me në krye PDK-në.
Strategjia e fushatës së PDK në 2019 ishte “antikorrupsioni”. Sivjet është “antioligarkia”. Gara për vend të dytë e të tretë po karakterizohet nga gënjeshtra fatkeqësisht.
Dihet kush e lufton korrupsionin dhe oligarkinë me vepra, dhe ajo është VV.
Dihet edhe kush po “lufton” me fjalë, pas 20 viteve ortakëri.