Hoti: Kemi ndarë sot fondin për vërshimet, po presim nga komunat të na prezantojnë dëmet

Aktuale

Hoti: Kemi ndarë sot fondin për vërshimet, po presim nga komunat të na prezantojnë dëmet

Më: 21 janar 2021 Në ora: 14:25
Pamje nga takimi

Vërshime të shumta pati javët që lamë pas në thuajse secilën komunë të Kosovës.

Por disa prej tyre ishin më të dëmtuara si pasojë e këtyre vërshimeve, ku edhe shumë familje mbetën jashtë shtëpive.

Por kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti sapo ka deklaruar se tashmë kanë ndarë fondin për çështjen e vërshimeve dhe se po presin nga komunat që të prezantojnë dëmet dhe të vendoset për ndarjen e këtij fondi.

“Ne sot kemi ndarë fondin për çështjen e vërshimeve dhe tanimë po presim nga Komunat për të prezantuar dëmet dhe të vendoset më pas ndarja e tyre”, tha Hoti, transmeton lajmi.net.

Këtë deklarim Hoti e bëri gjatë vizitës që pati në komunën e Gjilanit, ku edhe zhvilluan një konferencë të përbashkët me të parin e Gjilanit, bashkëpartiakun e tij, Lutfi Haziri.

Çështjen e ndarjes së fondit Hoti e pati përmendur edhe disa ditë më herët, teksa vizitoi Vushtrrinë, një nga komunat më të dëmtuara nga këto vërshime.

“Në Qeveri do të ndajmë një fond në bazë të mundësive që t’u ndihmojmë familjeve në nevojë nga vërshimet. Ne jemi në tërën çdo ditë, jam takuar me kryetarët e komunave që kanë dalë në teren”, pati thënë Hoti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat