Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka kërkuar nga politikanët që të i ndalojnë fyerjet ndaj institucioneve të pavarura dhe vendimet e tyre.
"Por, sot dhe çdo herë, u nënshtrohemi vendimeve të tyre. Ndryshe nuk ndërtohet shteti. Shteti nuk është lojë", shkroi Hoti në Facebook, përcjell "Bota sot".
Reagimi i kandidatit për kryeministër nga LDK, vjen pas deklaratave të mbrëmshme të zyrtarit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i cili ka thënë se Valdete Daka po vepron kundër Albin Kurtit.
Postimi i plotë
Përmbahuni nga fyerjet ndaj institucioneve të pavarura. Nuk i takon politikës të vendos se a kanë apo jo të drejtë ato institucione në vendimet që marrin. Ne kemi për obligim të respektojmë vendimet e tyre.
Ne, po ashtu, mundemi që nesër të krijojmë bazën ligjore dhe Kushtetuese, në Kuvendin e Republikës, për të avancuar vendimmarrjen e këtyre institucioneve sipas standardeve me te larta evropiane.
Por, sot dhe çdo herë, u nënshtrohemi vendimeve të tyre. Ndryshe nuk ndërtohet shteti. Shteti nuk është lojë.