Profesori dhe ligjëruesi në Universitetin e Parisit Nezir Kraki, ka thënë se kryetarja e Komisionit Zgjedhor të Kosovës Valdete Daka, nuk duhet të kërcënohet, por duhet të dorëhiqet.
Ai ka akuzuar Dakën se ka dështuar në verifikimin e kandidatëve në zgjedhjet e kaluara, përcjell Bota sot.
Sipas Krakit, Daka me stafin e saj janë fajtorë për votimin ilegal të Qeverisë Hoti me votën e një personi të dënuar.
Ai ka pyetur se pse shefja e KQZ-së është e paprekur nga dështimet dhe lëshimet që po i kushtojnë Kosovës.
Postimi i plotë i Krakit në Facebook:
Valdete Daka nuk duhet të kërcënohet, por të dorëhiqet
Ajo duhet të dorëhiqet për dështimet e KQZ-së në vitin 2019, jo për ndalesat e vitit 2021.
Ata që e kanë lexuar vendimin e GJK e kanë vënë re se aty thuhet shqip që KQZ ka dështuar në verifikimin e kandidatëve në zgjedhjet e kaluara.
Ndalesa për personat e dënuar në tri vitet e fundit ka qenë edhe atëherë, nuk e shpiku GJK tash.
Nëse u vërtetua që me dhjetëra kandidatë të dënuar janë bërë deputetë deri tash, sepse KQZ nuk e ka kryer punën si duhej, atëherë, kush jep llogari për dështimet e KQZ-së në pikërisht në verifikimin e kandidatëve?
A është Valdete Daka shefe e KQZ-së? Po.
Atëherë ajo dhe komplet stafi i saj është dashur të largohen nga aty për mungesë aftësie dhe për abuzim me pozitat që kanë.
Të njëjtit janë fajtorë edhe për votimin ilegal të qeverisë Hoti me votën e një personi që, përveçse i dënuar këto vitet e fundit, as dënimin s’e kishte kryer.
Prandaj, na lejohet të pyesim pse Valdete Daka është kaq e paprekur nga të gjitha këto lëshime e dështime që Kosovës po i kushtojnë me rrëzime e votime qeverish, me miliona shpenzime për zgjedhje e plus me destabilizim politik në momente historike të shtet bërjes....
Tash hajgaret janë hajgare, por mos e harroni origjinën e problemit. Shkaku përmirësohet, jo pasojat.
Origjina e kësaj rrëmuje politike e zgjedhore është Valdete Daka, e cila edhe një proces zgjedhor shumë të mirë si ai i viti 2019, ka arrit ta shndërrojë në një spektakël qesharak me pragje e me maska dhe nuk u dorëzua derisa e njollosi gjithë procesin. S’ka kuptim që ajo të mos i jep llogari askujt.