Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka reaguar për banerin e vendosur në sheshin "Zahir Pajaziti" në Prishtinë, ku në të shfaqet fotografia e motrës së tij.
Në një postim në Facebook, ai ka thënë se fotografia e Besarta Jasharit po keqpërdoret për qëllime të caktuara politike.
“Në lidhje me këtë kërkoj nga organet e rendit si dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të verifikojnë mirë rastin dhe të veprojnë sipas legjislacionit në fuqi”, ka shkruar ai në Facebook.
Postimi i plotë:
Sapo më njoftuan që në sheshin "Zahir Pajaziti", në Prishtinë, është vendosur një baner me motive politike, në të cilin është e vendosur edhe fotografia e motrës sime, Besarta Jashari.
Është e papranueshme, jo njerëzore dhe jo etike keqpërdorimi i personalitetit të motrës sime, Besartës, për qëllime të caktuara politike.
Një veprim i tillë, në këtë kohë para zgjedhore i bërë nga kushdo qoftë nuk i bënë nder historisë dhe të kaluarës sonë të lavdishme, as atyre që në emër të vlerave tona kombëtare tentojnë të përfitojnë politikisht.
Në lidhje me këtë kërkoj nga organet e rendit si dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të verifikojnë mirë rastin dhe të veprojnë sipas legjislacionit në fuqi.