Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka njoftuar nga 47 kandidatët që janë të dënuar me vendim të plotfuqishëm të gjykatës, 26 janë tërhequr nga subjektet politike.
Drejtori i kësaj zyre, Yll Buleshkaj, ka njoftuar se Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma janë në mesin e subjekteve që nuk i kanë zëvendësuar kandidatët, kurse LDK, PDK, Lista Serbe dhe Partia Rome e Bashkuar i kanë zëvendësuar këta kandidatë.
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka pasur sot diskutime të ashpra mes anëtarëve çka ka bërë që mbledhja të shtyhet për disa orë.
Ajo që mbetet e paqartë është fakti nëse kreu i VV-së, Albin Kurti do të lejohet ose jo të kandidojë për deputet. Analisti Agon Maliqi tha në Euronews Albania se situata e certifikimit të listave të kandidatëve për deputetë është e paqartë.
Sipas tij, Komisionin Qendror i Zgjedhjeve është futur në një krizë të thellë ligjore për shkak të presioneve politike.
“Situata është mjaft e paqartë edhe për ne këtu, që i ndjekim rrethanat. Akoma vazhdon seanca e KQZ, dhe diskutimi është mbi rregullore të brendshme. Mirëpo, ajo që është e qartë është se KQZ është futur në një krizë të thellë ligjore për shkak të presioneve të ndryshme politike”, tha ai.