Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot mbajti mbledhje maratonike shtatëorëshe në të cilën temë e nxehtë diskutimi ishte certifikimi i listave të subjekteve politike që garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Shkak i krejt muhabeteve të ashpra ishte rekomandimi i Zyrës për Regjistrim dhe Certifikim të Partive Politike që përkrahte certifikimin e të gjithë kandidatëve përfshirë këtu edhe ata që janë dënuar në tre vjetët e fundit.
Kjo u përkrah nga Vetëvendosja, AAK-ja dhe NISMA, por u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, si dhe kryesuesja Valdete Daka.
Në fund të mbledhjes së gjatë, Nisma, që ka në listë persona të dënuar, nuk u certifikua as si parti e as si listë.
Njësoj ndodhi edhe me listën e Vetëvendosjes që i prin Albin Kurti me një dënim të shqiptuar në tri vjetët e fundit. Fat të njëjtë pati edhe AAK-ja.
Nga partitë e mëdha dritë të gjelbër morën listat e PDK-së e LDK-së.
Në Vetëvendosje konsiderojnë se gjithë kjo u bë për ta ndaluar Kurtin dhe të tjerët të jenë në garë zgjedhore. Ndërsa padrejtësi e konsiderojnë edhe në Nisma e AAK që paralajmërojnë veprime të mëtejme ligjore.
Subjektet e pacertifikuara kanë të drejtë ankese në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, e pastaj edhe në Gjykatë Supreme.
Sipas planit operativ të KQZ-së, gjithë procesi i certifikimit duhet të përfundojë më 31 janar.