Kandidatja për deputete në listën e VV-së, Donika Gërvalla ka reaguar pas manipulimit me titullin e gazetës gjermane “FAZ”, ku e krijuan një fotoshop se kinse Kurti ka thënë që është kundër SHBA-ve dhe Ibrahim Rugovës.
Gërvalla në një postim në Facebook ka thënë se ky manipulim tregon edhe një herë se deri ku ka rënë niveli dhe sa e madhe është frika e disave nga këto zgjedhje.
Ajo thotë se kjo gazetë gjermane do të duhej të kursehej nga lojërat e ulëta, pasi ishte përkrahëse e lirisë dhe pavarësisë sonë në kohë të vështira.
Positmi i saj i plotë:
Manipulimi me gazetën shumë serioze gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung vetëm sa na tregon edhe një herë se deri ku ka rënë niveli dhe sa e madhe është frika e disave nga këto zgjedhje. Konkurrenca është në rregull, por gënjeshtra e kulluar jo.
Gazetari i kësaj gazete, Michael Martens ka reaguar menjëherë pas shpërndarjes së artikullit të rremë duke siguruar që një artikull i tillë nuk është botuar asnjë herë në këtë gazetë.
Përkrahësit e lirisë dhe pavarësisë sonë në kohë të vështira, dhe e tillë është kjo gazetë, do të duhej t'i kursenim nga lojërat tona shumë të ulëta.