Adelina Hasani nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se në vitet e ardhshme Kosova mund të renditet më poshtë se sivjet për luftimit e korrupsionit.
Sipas saj, për shkak të izolimit nga pandemia me COVID-19, të dhënat nuk kanë qenë shumë të sakta, për çka shton se, Kosova ka mundësi të jetë më poshtë se sa që është tash në vendin e 104 në nivel ndërkombëtar.
Hasani tha se ngecja në luftën kundër korrupsionit nuk ka dalë të jetë e theksuar vetëm në Kosovë, por edhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
“Kosova dy vite radhazi merr 36 pikë duke u renditur në pozitën 104 që tregon se vite me radhë Kosova nuk ka arritur të ketë përparim në luftën kundër korrupsionit. Ka qenë viti 2017 kur ka pasur rritje të luftës kundër korrupsionit në Kosovë, por në dy vitet e fundit është në këtë pikë. Vetëm Shqipëria ka arritur një pikë më shumë nga viti i kaluar ndërsa shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë në vendin e njëjtë”, tha ajo në Express Intervistë.
“Vitet në vijim do t’i kemi ndoshta edhe më të ulëta sepse në 2020 kemi qenë shumë të izoluar dhe nuk kanë arritë të marrin të dhëna shumë të sakta nga shtetet, dhe pritet që të ketë pikë edhe më ulëta. Mendojmë se do të rezultojë më keq”.
Hasani tha se ende për vite ekziston problemi i pavarësisë së gjyqësorit në vend për shkak të ndërhyrjeve politike në të.
“Nuk ka ndonjë ndryshim këtë vit, situata po përkeqësohet, është problemi i pavarësisë së gjyqësorit për shkak të ndërhyrjeve politike në sistemin e drejtësisë. Kjo ka qenë problematikë kryesore, pastaj që nuk ndëshkohen zyrtarët”, tha ajo.
Ajo ka thënë se edhe ngjarjet që kanë ndodhur vitin e kaluar në Kosovë nga të gjitha fushat, kanë ndikur në këtë aspekt, ndërkaq, ka theksuar atë të shëndetësisë.
“Sigurisht edhe ndodhitë që kanë ndodhur në vitin 2020 kanë ndikuar. Sidomos sektori i shëndetësisë, gjatë vitit 2020 janë ble disa pajisje për mbrojtje të COVID-it në nevojë emergjente që kanë shkaktuar që të ulet transparenca dhe të keqpërdoret paraja publike. Keqpërdorimi i parasë publike ka qenë evidente gjatë 2020-s”, tha ajo.
Organizata ndërkombëtare “Transparency International”, ka publikuar të dhënat për e korrupsioni për vitin 2020, nga ku del se Kosova nuk ka shënuar përparim në luftimin e korrupsionit gjatë vitit të kaluar.