Arbër Tolaj, kandidat i AAK-së për deputet, ka lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, por ka thënë se vota e AAK-së për postin e presidentit vlen vetëm për kryetarin e kësaj partie, Ramush Haradinaj, dhe jo për Vjosa Osmanin, që në kuadër të listës me VV-në ka shpallur kandidaturën për presidente.
Në Interaktiv të KTV-së, Tolaj ka thënë se AAK-ja pret të ketë rritje në zgjedhjet e ardhshme. Sipas tij, kjo parti po synon të rrisë numrin e deputetëve në Kuvend, nga 14 sa kishte në legjislaturën e fundit.
“Të shohim kur të përfundojnë zgjedhjet (për bashkëpunim me partitë tjera). Jemi të hapur. S’kemi vija të kuqe. Jemi komod edhe korrekt jo vetëm ndaj qytetarit, por edhe partive politike. Nëse kthehemi në retrospektivë, AAK-ja ka përvojë me Vetëvendosjen. Kemi bashkëpunuar kur ishim në opozitë, patëm organizuar protesta. Kishim disa kauza të përbashkëta që i kemi ngritur dhe çuar deri në fund. Kjo është arsyeja pse mund të kemi ndoshta një bashkëpunim me ta. Kanë të drejtë të nominojnë zonjën Osmani për presidente, por nëse vendi ynë ka nevojë për president konsensual, në këtë rast mendoj se është Haradinaj. Ne kemi qenë të qartë, qysh para shumë muajsh ne s’kemi vota për dikë tjetër që është aktiv në politikë. Vota e AAK-së shkon vetëm për liderin Haradinaj”, ka thënë ai.
I pyetur se a mund të heqë AAK-ja dorë nga kandidatura e Haradinajt për president edhe nëse kjo i kushton me mbetjen jashtë Qeverisë, Tolaj ka thënë se “s’ka kompromis”.