Gjykata Themelore në Prishtinë, të premten, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Shkumbin Jasharit për përvetësim të kundërligjshëm të pasurisë me rastin e bastisjes apo ekzekutimit të vendimeve gjyqësore.
Për këtë vepër penale, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Isuf Makolli, të njëjtin e ka dënuar me 6 muaj burgim, ku do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak.
Sipas tij, me pëlqimin e të akuzuarit, ky dënim me burgim mund t’i zëvendësohet me gjobë.
Kurse, për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armës”, gjykata e ka liruar nga akuza pasi sipas trupit gjykues nuk është provuar se e ka kryer këtë vepër penale.
Gjithashtu, gjykata ka refuzuar propozimin e prokurorit që ndaj tanimë të dënuarit nga shkalla e parë të shqiptohet dënimi plotësues, respektivisht ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.
Sipas aktakuzës së ngritur me 6 maj 2019, me datë 29 mars 2019, Shkumbin Jashari, rreth orës 00:55, në cilësinë e personit zyrtar, polic i Kosovës, gjatë kontrollit të kryer në biznesin “Las Vegas 2”, i cili gjendet në lokacionin tek QMI, fillimisht zbërthen zingjirin e jaknës së uniformës policore, shfrytëzon rastin merr kuletën me para, e cila ishte e vendosur në banak të lokalit dhe e fut brenda jaknës, me të cilën ishte i ngarkuar punëtori i kazinos, tani i dëmtuari Alban Qerkini, e më pastaj vazhdon kontrollimin e lokalit, me c’rast të dëmtuarin i shkakton dëm në vlerë prej 2000 euro.
Tutje, dispozitivi i dytë i akuzës thotë se me 4 prill 2019, gjatë kontrollit të kryer nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në punëtorinë e të pandehurit, që gjendet në rrugën “Lulzim Jashari”, në Fushë Kosovë, i është gjetur dhe sekuestruar një pushkë ajrore e tipit Diana, model 25, si dhe 17 copë fishekë të llojeve të ndryshme të kalibrit 9x9mm, një palë pranga dhe një karikator, të cilat i mbante paautorizim.