Hoti: Kosova po i kthehet normalitetit

Aktuale

Hoti: Kosova po i kthehet normalitetit

Më: 29 janar 2021 Në ora: 17:05
Avdullah Hoti

Kosova është në rrugën e kthimit drejt normalitetit ka vlerësuar kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.

Në një konferencë për media të premten, Hoti ka bërë të ditur se janë bërë pagesat për të vetëpunësuarit, sipas Ligjit për rimëkëmbje, për rreth 15 mijë të punësuar janë ndarë 6.5 milionë euro.

Sipas tij, kjo është shenjë se Qeveria e udhëhequr nga ai po përmbush pakon e rimëkëmbjes.

“Trendi i të hyrave në janar të këtij viti është njësoj sikur në janarin e vitit 2020. Për ne është shenjë e qartë që kur atëherë në janar s’kishte pandemi, masa restriktive dhe bizneset qarkullonin normalisht, ekonomia zhvillohej normalisht, nënkupton që masat e rimëkëmbjes që i kemi marrë më 2020 dhe mbështetjen që u kemi dhënë bizneseve, dhe masat e reja gradualisht po kalojmë fazën kritike të pandemisë e po i kthehemi normalitetit në zhvillim, ekonomi, shoqëri e në përgjithësi. Me vaksinat që do të fillojnë të vijnë në muajin shkurt ne i kthehemi normalitetit të plotë”, ka thënë ai.

Deklarata e Hotit vjen në ditën kur në Kosovë u konfirmuan rastet e para të variantit britanik të koronavirusit. Të premten u bë e ditur se në tri nga 30 mostrat e testuara jashtë vendit, u detektua varianti britanik.

Deri tash në Kosovë janë regjistruar 59 mijë e 646 raste pozitive me COVID-19. 1487 prej tyre kanë vdekur. Janë edhe 6211 raste aktive.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat