Vrasja tragjike nga babai i ish-menaxherit të “Babastars” në Prishtinë, tronditi këtë javë mbarë opinionin shqiptar.
Skënder Krasniqi dyshohet se vrau djalin e tij, biznesmenin Albert Krasniqi, rreth orës 17:00 në rrugën “Ndue Perlleshi”, në Prishtinë. Direkt pas ngjarjes, babai i viktimës është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe është konfiskuar arma, me të cilën dyshohet se është kryer vrasja. “Ejani se e vrava djalin!”, kështu e ka denoncuar rastin babai i Albert Krasniqit, duke e njoftuar vet Policinë.
Mediat e Kosovës shkruanin se pas kësaj vrasjeje fshihej konflikti mes nuses, djalit dhe vjehrrit.
Sipas disa shkrimeve në media, shkak për konfliktin babë e bir, u bë ndarja e para disa ditëve të Albertit të ndjerë me bashkëshorten, ish-Miss Kosova 2006.
Sipas tyre, ai kishte dhunuar Besën, duke e bërë për spital dhe i ati i kishte kërkuar të vetëdorëzohej në polici për dhunën ndaj ish-bashkëshortes, e cila fill pas ndarjes u zhduk nga rrjetet sociale.
Gjakrat në familje ishin nxehur, pasi Besa, e cila për një kohë të gjatë ka qenë e martuar me Albertin, ishte ndarë dhe larguar nga shtëpia e tij pas disa vitesh martesë.
Një javë më parë, Prive zbuloi se ish-Miss Kosova për këtë arsye kishte mbyllur dhe rrjetet sociale. Ndërsa Alberti kishte fshirë të gjitha fotot familjare nga “Instagram”-i, duke lënë vetëm ato me vajzën, fotot e së cilës i kishte postuar vetëm disa orë pasi të mbetej i vrarë. Çifti kishte pasur edhe një krizë martesore në vitin 2017, për të cilën Besa foli publikisht, krizë që e kapërcyen dhe u rikthyen sërish bashkë si familje.
Krizat në çift, Besa jo vetëm që i pranoi, por ajo foli edhe për konfliktin e bashkëshortit me Noizyn e Cozman, ku Alberti ishte personi që plagosi Noizyn.
Kujtojmë që pasi Alberti doli nga burgu, babai i tij dhe i Noizyt organizuan një takim në kufi ku i falën gjakun njëri-tjetrit. Dhe pak gati pesë vitesh, Prishtina tronditet përsëri, po këtë herë arma është në dorën e babait të tij, i cili i ka marrë jetën të birit.
Mediat treguan se Albert Krasniqi ka qenë në kërkim nga Policia në lidhje me një rast të dhunës fizike ndaj Besa Gashit, ish-bashkëshortes së tij, dikur Miss. Ka qenë pikërisht kjo ngjarje, që ka përçarë familjen e biznesmenëve dhe veçanërisht marrëdhënien speciale si babë e bir, që shiheshin kudo bashkë si dy shokë të vërtetë.
Sipas mediave të Kosovës, vrasja e Albertit erdhi pas një përplasje që ai ka pasur paraprakisht me babanë e tij, i cili i kishte kërkuar që të vetëdorëzohej në Polici për dhunën që kishte ushtruar ndaj ish-gruas së tij, Besa Gashin.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër Skënder Krasniqit, si i dyshuari për vrasjen e të birit, Albert Krasniqi.
Ndërkohë, sa i përket ish-bashkëshortes, ajo ka qenë prezente në varrimin e Albertit. Kujtojmë që at e bir ishin biznesmenë të suksesshëm në fushën e ndërtimeve.