Qëndrim Gashi, ambasador i Kosovës në Francë, e ka konfirmuar se është regjistruar nga Komisioni Qëndror Zgjedhor për votim me kusht në zgjedhjet e 14 shkurtit që do mbahen në Kosovë.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë ambasadori kosovar në Francë me anë të Facebook-ut, i cili ka falënderuar KQZ’në për shërbimin profesional.
“Sapo më telefonoi KQZ-ja për ta konfirmuar regjistrimin tim për votim me postë. Desha t’i falënderoj publikisht për shërbimin profesional në këtë periudhë të vështirë të pandemisë. Pjesëmarrja në votim e qytetarëve që gjenden jashtë Kosovës është e rëndësishme për demokracinë dhe kohezionin tone”, ka deklaruar ai në Facebook.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur të dielën se shërbimi votues i këtij institucioni është në përmbyllje e sipër të regjistrimit dhe verifikimit të aplikacioneve për votuesit jashtë Kosovës për zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Gjatë ditës së nesërme, e hënë, do të kemi një raport të detajuar se sa është numri i aplikacioneve të cilat janë pranuar deri më 21 janar, sa prej tyre janë aprovuar dhe sa janë refuzuar”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi gjatë një deklarimi për media.
Shtetasit e Kosovës, me të drejtë vote, që gjenden jashtë vendit, kanë mundur të aplikojnë për t’u regjistruar në zgjedhje nga 13 janari deri më 21 janar.
Elezi tha se të gjithë ata persona që janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit, do të mund të votojnë përmes postës duke filluar nga 2 shkurti.