Sami Ahmeti, ka dhënë dorëheqje sot nga Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndërsa, ai i është bashkuar partisë së Ramush Haradinaj.
Ahmeti i ftuar në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin ka treguar se pse është larguar nga Vetëvendosje.
Ai ka thënë se ka shumë arsye për largimin e tij, derisa ka treguar që 13 vite është i pakënaqur.
Ahmeti është shprehur i pakënaqur që siç ka thënë ai, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kishte akuzuar partitë tjera për hajni, ndërsa e kishte amnistuar Isa Mustafën.
“Në tubimin e Vetëvendosjes që është mbajtur në muajin maj të vitit 2019, Albini i shpalosi pikëpamjet e tij në lidhje me PAN hajninë. Mua më pengoj se ai e ndau hajnin si me thikë, LDK’në e amnistojë. Unë dola kundër kësaj. Albini nuk tha PLAN hajnia po PAN hajnia, Isa Mustafën e amnistojë”, tha ai.
Tutje, ai tha se nuk i ka pëlqyer as që njerëz të ‘recikluar’ të partive tjera kanë hyrë në Vetëvendosje.
“Unë kam pasur pakënaqësi pas luftës me disa bashkëluftëtarë të mi dhe me krahun e paqes. PDK dhe LDK nuk e kanë menaxhuar shtetin mirë. Nuk kam hyrë në Vetëvendosje për tu dukur patriot. Nuk mendoj që Vetëvendosje ka qenë parti më patriotike se partitë tjera. Ajo që më ka tërheq ka qenë drejtësia dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Mirëpo si po shohim, njerëz të ricikluar të partive tjera po vinë në Vetëvendosje”, ka shtuar ai.