Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është krenare që e përkrah fushatën multimediale për informimin e publikut “E ardhmja është në duart tona”.
Në komunikatën e Ambasadës Amerikane thuhet se kjo fushatë, që filloi në shtator të vitit 2020, vë në pah se si të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë mund të luajnë rolin e tyre përmes angazhimit qytetar aktiv për ndërtimin dhe sigurimin e të ardhmes paqësore, të drejtë dhe të begatshme. Ndryshimi është i mundshëm vetëm kur populli i Kosovës të marrë të ardhmen në duart e veta dhe të ndërmarrë veprim për të nxitur ndryshimin.
Reklama e fundit e fushatës, e nxjerrë në dhjetor, titullohet „I them “Jo” korrupsionit; Çdo “Jo” çon peshë”. Korrupsioni mbetet ndër pengesat më të mëdha për rritjen ekonomike të Kosovës, investimet në sektorin privat dhe krijimin e mundësive për punësim, veçanërisht për të rinjtë. Përmes veprimit të thjeshtë – duke thënë „Jo” dhe duke refuzuar për të marrë pjesë në nepotizëm, ryshfet dhe korrupsion, madje edhe në shkallë të vogël, si dhe duke i raportuar rastet – qytetarët e rëndomtë mund të kenë ndikim të vërtetë dhe afatgjatë në luftimin e korrupsionit.
Fushata është organizuar në dy gjuhët zyrtare në Kosovë, shqip dhe serbisht. Për më shumë informata, përfshirë edhe vegëzat për reklamat e mëhershme për informimin e publikut, vizitoni këto kanale të rrjeteve sociale.