Kandidatja për Presidente Vjosa Osmani, ka folur për tubimin e djeshëm në Gjilan.
Osmani në këtë takim ka qenë së bashku me kryetarin e LVV-së Albin Kurtin dhe janë pritur nga shumë simpatizantë të tyre.
U.d presidentja Vjosa Osmani në shkrimin e saj në Facebook, ka paralajmëruar kundërshtarët, se nuk ka pengesë që do ta ndalë vullnetin për ndryshim.
Ja shkrimi i saj:
Dje në Gjilan, pashë gatishmërinë e qytetarëve të Anamoravës që më 14 shkurt t`i bashkohen varganit të ndryshimit.
Bashkimi i politikanëve nuk është i mjaftueshëm për ndryshim pa bashkimin e qytetarëve. Në këtë qytet, gatishmëria, motivi dhe guximi për ndryshim do ta bëjnë diferencën pas 12 ditësh.
Qytetarë të Dobërçanit, të Pogragjës, e të lagjeve së Gjilanit u shprehën të gatshëm që kësaj here si në referendumin e viteve të 90-ta, të vihen në krahun e brezit të ri politik.
Përcaktimi i 14 shkurtit do të jetë historik dhe jo vetëm për katër vjetët e ardhshëm. Pesha e vendimit të secilit do të jetë vulë edhe për brezat e ardhshëm.
Nuk ka pengesë që do ta ndalë vullnetin për ndryshim.
#krejtdhedrejt do ta ruajmë besimin qytetar edhe pas 14 shkurtit, sepse Kosova është shtëpia jonë e përbashkët!