Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherit kandidat i këtij subjekti për kryeministër, ka thënë që në këto zgjedhje do të ketë pjesëmarrje masive të qytetarëve.
“Ne kemi një tubim të hapjes në Prishtinë, sonte në orën 19:30, mirëpo sot jemi këtu në Pejë, në këtë qytet të bukur që i ka dhënë aq shumë edhe luftës çlirimtare edhe paqes në Kosovë, artit, shkencës, historisë dhe kulturës”.
“Në shesh, do të takojmë qytetarët pejanë të cilët masivisht janë të vendosur për ndryshime dhe do të ketë pjesëmarrje rekord të popullsisë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Po na merr moti shumë i mirë dhe duket që kjo fushatë e paralajmëron pranverën e 2021”, ka thënë Kurti gjatë hapjes së fushatës në qytetin e Pejës.
Sa i përket moscertifikimit nga KQZ-ja për të kandiduar si deputet, Kurti tha se nuk ka asnjë pengesë që nuk mund të tejkalohet.
“Ne e kemi listën tonë me 110 kandidatë, ka pengesa e vështirësi të ndryshme, por asnjë të atillë që nuk do ta tejkalojmë”, u shpreh ai.