Kryeministri Avdullah Hoti ka uruar regjisoren dhe aktorët e filmit “Zgjoi” për suksesin e arritur.
Me një postim në “Facebook”, Hoti ka shkruar se Kosova edhe njëherë ka marrë vëmendjen e opinionit ndërkombëtar.
“Kështu promovohet e nderohet shteti! 3 çmime për filmin “Zgjoi” në “Sundance Film Festival””, ka shkruar ndër tjera kryeministri i vendit.
Postimi i plotë i tij:
“Edhe njëherë Kosova në vëmendjen e opinionit ndërkombëtar! Filmi që trajton ngjarjen e vërtetë të Fahrije Hotit, gruas guximtare nga Krusha, që tashmë do të jetë e njohur edhe përtej Kosovës. Kultura, arti e sporti po na bëjnë krenarë prandaj duhet të investojmë më shumë në këto fusha. Urime për regjisoren Blerta Basholli, aktoren kryesore Yllka Gashi dhe gjithë ekipin e këtij filmi!”.
Ndryshe, Filmi artistik nga Kosova arriti të marrë trofeun për “Filmin më të mirë”, “Çmimin e publikut” si dhe “Regjinë më të mirë”.