Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK)ka vendosur që nga 8 shkurti të bojkotohet Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Kështu ka marrë vendim Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën.
“BOJKOTI fillon prej datës 08 shkurt 2021 nga ora 08:00, nëse nuk eliminohen pengesat e paraqitura, ashtu që sipas këtij vendimi OBLIGOHEN AVOKATËT të zbatojnë këtë VENDIM, moszbatimi i të cilit përbën shkelje të rëndë disiplinore. Si rrjedhojë e kësaj, arsyeja e nxjerrjes së këtij vendimi është se avokatët që kanë për të kryer punë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, presin në radhë me qytetarë për të hyrë në Prokurorinë Themelore, kontrollohen dhe detektohen nëpërmjet skanerit sa herë që hyjnë në këtë Prokurori dhe në rast se lejohen nga zyrtari i pranimit, u ndalet telefoni personal. Poashtu, për t’u çasur në zyrat individuale të prokurorëve, avokatët nuk mund të lëvizin pa shoqërimin e asistentit të Prokurorit edhe përkundër faktit se avokati, e ka të caktuar seancën paraprakisht”, potencohet në komunikatë.
“Meqenëse deri më tani, Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, nuk kanë reflektuar pozitivisht lidhur me kërkesat e Odës së Avokatëve të Kosovës, për eliminimin e pengesave të paraqitura, gjatë komunikimit me shkrim dhe gjatë takimeve, përkundër insistimit të vazhdueshëm të OAK-së, duke parë këtë trajtim të avokatëve është më se e nevojshme që të merret ky vendim për bojkotim të Prokurorisë Themelore, deri në përmbushjen e kërkesave të OAK-së”, thuhet në një njoftim për media të OAK.