Partitë politike në Kosovë kanë nisur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Analisti Mentor Shala komentoi në Euronews Albania ditën e parë të fushatës në këtë shtet si dhe programet e partive politike.
“Ishte një ditë, ku partitë politike tentuan që të shpalosin nga programi i tyre. Përveç PDK-së, e cila ka bërë një hapje të programit të saj, partitë e tjera më shumë janë marrë me akuza ndaj njëra-tjetrës”, u shpreh ai.
Shala theksoi gjatë fjalës së tij se sondazhet e publikuara deri më tani kanë sjellë tensione në elektorat.
“Dje edhe partia e Albin Kurtit e shpalosi programin e tij, po presim që ajo që është e veçantë në këtë fushatë janë disa sondazhe, të cilat po paraqiten dhe për mendimin tim janë duke e rritur tensionin brenda elektoratit të partive politikë në Kosovë”, u shpreh ai.
Analisti i cilësoi sondazhet si të pavërteta dhe që kanë një agjendë, të cilën e ndjekin.
“Nga ajo qe po shihet në terren dhe nga ajo çka po prezantohet nga këto shoqata ka shumë ndryshim dhe mendoj që vetëm sa po tensionohet elektorati i partive të ndryshme. Nuk janë duke bërë mision e tyre, nuk janë duke treguar të vërtetën. Nuk e di se çfarë metodologji po përdorin. Ka edhe një agjendë prapa tyre”, përfundoi ai.