Rozeta Hajdari, ish-ministre e Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Qeverinë Kurti, ka thënë se në rast se vijnë në pushtet, do të ndihmojnë prodhuesit vendor.
Ajo ka thënë se shumë ndërmarrje të vogla e të mesme, por edhe të mëdha, do të kenë mundësi për kredi të buta.
“Ne e kemi pasur një program për rimëkëmbje ekonomike dhe të gjitha ato masa që i kemi paraparë në rimëkëmbje ekonomike do të adresohen edhe në qeverisjen e re Kurti 2. Do t’i ndihmojmë sektorin privat, ndërmarrjet e vogëla dhe të mesme dhe mikro, që janë mbi 90% e sektorit privat. Do të subvencionohen me grante, për shembull bizneset e reja dhe bizneset që udhëhiqen nga gratë. Edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të kenë mundësi të marrin kredi të buta”, ka thënë Hajdari në Debat Pernime.
Sipas ish-ministres, ndihmë do të kenë edhe Ndërmarrjet Publike të Kosovës.
“Ndërmarrjet publike, po ashtu do t’i ndihmojmë, duke filluar nga depolitizimi i bordeve dhe do t’i ndihmojmë me subvencione nga qeveria Kurti 2. Ne do t’i përkrahim prodhesit vendor duke filluar me kredi të buta dhe përkrahje në ligje. Është shumë e rëndësishme që sektori privat mos të sfidohet në eksportimin e mallrave të tyre në vendet e jashtme. Prodhuesit e qumështit kishin shumë shumë probleme me plasimin e qumështit në treg. Aty kanë qenë shumë iniciativa të mira. Edhe bujqit do të kenë ndihmë nga qeveria”, tha ajo.