Fushata zgjedhore/ Paralajmërimi i frikshëm i infektologut: Ja kur pritet rritja e rasteve me COVID-19

Aktuale

Fushata zgjedhore/ Paralajmërimi i frikshëm i infektologut: Ja kur pritet rritja e rasteve me COVID-19

Më: 5 shkurt 2021 Në ora: 10:27
Ilustrim

Partitë politike të mërkurën kanë nisur fushatat elektorale për zgjedhjet e parakohshme që do të zhvillohen më 14 shkurt. Ndërkohë, ajo që vihet re është se të gjitha partitë janë duke shkelur masat antiCOVID, madje edhe nga vetë shefi i qeverisë, Avdullah Hoti.

Në grumbullimet e qytetarëve, janë shkelur masat duke u mbledhur më shumë se 30 persona, në një ambient të mbyllur. Gjithashtu, është parë dhe një mungesë e respektimit të distancimit social dhe përdorimit të maskave.

Porse, përkundër numrit të madh të njerëzve që po mblidhen nëpër këto tubime, rastet e infektimeve me COVID-19 nuk janë duke u rritur.

Të enjten, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftoi se janë regjistruar edhe 318 raste të reja me COVID-19.

Lidhur me këtë dukuri tinfektologun, Ilir Tolaj ka thënë se numri  i rritjes së rasteve mund të ndodhë rreth datës së zgjedhjeve.

Tutje, infektologu ka shtuar se në rast se kjo nuk ndodhë, atëherë, kjo është shenjë se në mesin e popullatës së Kosovës është krijuar një nivel i kënaqshëm i imunitetit kolektiv.

“Rritja e numrit eventual të rasteve si pasojë e tubimeve politike gjatë fushatës parazgjedhore, në të cilat nuk po respektohen masat e parandalimit të infeksionit, mund të pritet të ndodhin diku rreth datës së zgjedhjeve dhe disa javë pas zgjedhjeve. Nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë, kjo është shenjë se në mesin e popullatës së Kosovës është krijuar një nivel i kënaqshëm i imunitetit kolektiv si pasojë e numrit të madh të personave që e kanë kaluar infeksionin dhe sëmundjen”, ka thënë Tolaj

Të mërkurën në Kosovë ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore, e cila do të zgjasë deri më 12 shkurt.

Sipas masave të miratuara nga Qeveria e Kosovës më 15 janar ndalohet grumbullimi i më shumë se 30 personave brenda një hapësire të mbyllur.

“Në hapësira të mbyllura ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 30 personave, ndërsa në sheshe publike, parqe, vende publike, qendra rekreative dimërore dhe të ngjashme, lejohet grumbullimi deri në 50 persona me përjashtim rasteve të lejuara me këtë vendim”, thuhet në pikën 24 të vendimit të Qeverisë.

Lidhur me këto tubime, të enjten ka reaguar edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë e cila përmes një njoftimi e ka cilësuar si shqetësuese numrin e madh të njerëzve që po marrin pjesë nëpër tubime të partive politike.

Madje, ambasada ju ka bërë thirrje të gjitha partive politike që t’i respektojnë masat kufizuese antiCOVID.

“Me miqtë dhe familjen tonë përsëri në Mbretërinë e Bashkuar nën bllokim, ne e dimë shumë mirë se kjo pandemi nuk ka mbaruar dhe ne nuk duam të shohim përsëri të njëjtën gjë për miqtë tanë këtu në Kosovë. Këto zgjedhje janë të rëndësishme, por disa nga fotografitë që kemi parë të tubimeve të mëdha dhe takimeve pa distancime shoqërore kanë qenë shqetësuese. Ne i nxisim të gjitha partitë dhe mbështetësit e tyre të respektojnë kufizimet e Covid tani që periudha zyrtare e fushatës ka filluar”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat