Policit, Haris Kelmendi i është ndërprerë masa e paraburgimit këtë të premte, dhe e njëjta i është zëvendësuar me arrest shtëpiak.
Arbër Jashari, zëdhënësi Gjykatës së Apelit bëri të ditur pse polici që ka kryer aktin e dhunshëm mbi Leotrim Ramën u lirua nga paraburgimi.
“Të pandehurit H. K. i është nderprerë masa e paraburgimit të premten dhe e njëjta i është zëvendësuar më atë të arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej 30 ditësh. I pandehuri nuk guxon të largohet nga lokalet ku ai e ka vendbanimin ose vendqëndrimin pa lejen e gjykatës, në të kundërtën në çdo kohë mund t’i shqiptohet masa e paraburgimit”, ka thënë ai.
Gjykata konsideron se edhe më këtë mase mund të arrihet qellimi për të cilin i është caktuar paraburgimi.
Ndryshe, polici Haris Kelmendi kishte ushtruar dhunë mbi 18 vjeçarin Leotrim Rama brenda stacionit policor, tre vite më parë.
E menjëherë pas shpërndarjes së saj në rrjete sociale u morën edhe masa nga organet e drejtësisë.