Vetëm pesë ditë para ditës kur qytetarët pritet t'u drejtohen kutive të votimit, Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur që dje të bëjë publike programin e saj politik.
Në këtë dokument që është vetëm 50 faqe tekst, një kapitull i dedikohet politikës së jashtme.
Në të thuhet që Bashkimi Evropian është bashkim me dijen dhe zhvillimin. Me anë të kësaj synojnë që përmes parterëve strategjikë, që i shohin Shqipërinë, SHBA-të, vendet e BE-së dhe Britaninë e Madhe, të rrisin fushat e bashkëpunimit e me anë të të cilave synohet të bëhet politika e jashtme.
Aty përmendet edhe se do të angazhojnë artistë e sportistë ndërmjet qyteteve për të bërë diplomaci.
Vetëvendosja i kushton rëndësi reformës në shërbimin diplomatik me anë të së cilës synon të fuqizojë Akademinë Diplomatike dhe verifikimin e gradave.
“Andaj vëmendja jonë për shërbimin diplomatik do të pasohet me reforma të thella, me fuqizimin e Akademisë Diplomatike, verifikimin e gradave, kthimin e mundësisë për diplomatët e karrierës që ta vijojnë ecjen e tyre para në përfaqësimin me dinjitet të Republikës. Dinjitetin e diplomatëve tanë do ta sigurojmë edhe nëpërmjet reformave legjislative, ku do të garantohet mirëqenia e tyre në raport me kushtet e jetesës së vendit pritës.”
Në njërën nga pikat, LVV është ndalur specifikisht tek Bashkimi Evropian. Në të thuhet që do ta rikthejnë ministrinë e Integrimeve dhe bashkëpunim me shtetet kryesore të Bashkimit Evropian.
“Do ta rikthejmë adresën politike të Kosovës për BE-në, pra Ministrinë e Integrimit. Bashkëpunimi me shtetet kryesore të BE-së dhe vendet e tjera anëtare, me të cilat nuk ka ende marrëdhënie të thelluara bilaterale, do të jetë një nga veprimet më të para të qeverisë sonë.”
Për gjitha këto pika, analisti politik, Arton Demhasaj, ka dhënë kritika. Ai për më tepër nuk e quan as program politik, përderisa në vete ka vetëm një faqe e gjysmë tekst dhe nuk flet për çështjet kyçe të polititikës së jashtme, siç është anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare.
“Unë vetëm program politik nuk mund t’i them këtij dokumenti që e kanë publikuar. Në pjesën kur flitet për politikën e jashtme parashihet hapja e ministrisë së Integrimeve, kjo gjë nuk ka kurfarë rëndësie sepse diplomacia ngërthen në vete shumë më shumë se një ministri. Duke parë këtë, mendoj se VV-ja ështe dashur të flasë për lobimin, çështjen e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë këtu UNESCO-n, INTERPOL-in, EUROPOL-in e deri në OKB. Por edhe procesin e integrimeve evropiane, ku hyn edhe zbatimi i MSA-së. Pastaj mendoj që si subjekt që ka proklamuar më së shumti bashkimin me Shqipërinë, ishte dashur që të shohë bashkëpunimin me të, për shkrirjen e ambasadave apo konsullatave në mënyrë që të operojnë së bashku, kjo gjë do ta ulte edhe koston financiare për të dyja vendet. Këtë pjesë do të doja të shihja në secilin program të partive politike”, tha ai.
Demhasaj vazhdon duke thënë programi është publikuar shumë vonë dhe se në këtë dokument mungon edhe problemi kryesor që ka vendi, dialogun me Serbinë.
“Programi është publikuar me vonesë. Neve vetëm edhe katër ditë na ndajnë nga heshtja zgjedhore, e kaq vonë të publikohet programi, unë mendoj që është një vërejtje që duhet t’i japim, sidomos partisë që pretendon dhe gjasat i ka më të mëdha për të ardhur në pushtet. Dy qeveri kanë rënë për shkak të dialogut. Mendoj që kjo çështje është dashur VV të shpenzojë energji dhe kohë për të bërë një platformë që kishte pasur mundësi me qenë pjesë e planprogramit të tyre, që lidhet me dialogun. Duke marrë parasysh që sapo të krijohen institucionet, do të ballafaqohen me forcat ndërkombëtare që do të tentojnë që t’i rikthehemi negociatave, e që tani po hyjmë në fazën e një marrëveshje finale dhe mbylljen e kësaj sage disavjeçare. Kur e shohim që në politikën e jashtme për aq sa kanë shkruar, përnjëmend më duket që qëllimisht po injorohet dhe se unë besoj që po vjen edhe për shkak se dialogu nuk është çështje e popullsisë, që mund të ngjallë elektroat, prandaj edhe VV nuk po merret me këtë që së paku mos të humbasë vota” – përfundoi Demhasaj.
Vetëvendosja është nga partitë më pretendente për ta marrë drejtimin e qeverisë, por është e fundit që ka prezantuar ofertën për qytetarët.
Në 52 ditë qeverisje, Albin Kurti diplomacinë ia besoi Glauk Konjufcës. Ky i fundit, me të marrë drejtimin e MPJ-së, bëri shkarkime të ambasadorëve e disa konsujve. Kryesisht ishin ambasadorë politikë të ardhur nga partitë e kaluara në pushtet.
Kurse qasjen për dialogun Kurti tha se po negociohet për shkëmbim territoresh e ka parë thika mbi harta, mirëpo nuk pati shansin të ulet në tavolinën e diskutimit me Vuciqin.
E gjitha që bëri është heqjen e tarifës 100 për qind për produktet me prejardhje serbe dhe të Bosnjes e Hercegovinës dhe vendosjen e reciprocitetit.