Në Klinikën Infektive në Prishtinë tashmë pacientët po trajtohen edhe me plazmë koncalecente, plazmën e pacientëve të cilët e kanë kaluar koronavirusin.
Janë pesë pacientë të shtrirë në Infektivës e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, të cilët po trajtohen me këtë plazmë dhe e cila sipas mjekëve po jep rezultate të mira.
Kadri Manaj nga Istogu ka dy javë që ka rezultuar pozitiv në COVID-19.
Ai fillimisht është trajtuar në spitalin rajonal të Pejës por me t’iu keqësuar gjendja shëndetësore është transferuar në Klinikën Infektive në Prishtinë.
Infektologu Salih Ahmeti bashkë me ekipen e tij ka vendosur që pos terapive të tjera ta trajtoj atë edhe me plazmën e gjakut të pacientëve që tashmë e kanë kaluar Covid 19.
Ndërsa gjendja e tij është përmirësuar dukshëm.
“Unë sa kam mujt me vërejtë ka ndiku mirë”, ka thënë ai.
Njëjtë është vepruar edhe me Florian Shkolollin, mjek specialist në QKUK.
“Jemi ndër pacinetët e parë që kemi marrë plazmë kovalescente, jemi shumë me fat”, u shpreh ai.
Infektologu Salih Ahmeti ka bërë të ditur se aktualisht janë 5 pacientë që janë duke i trajtuar me këtë metodë.
“E kemi dhanë te të sëmurët rëndë dhe efektshëria e tyre është e mirë, kemi pasur rezultate të mira te pacientët që e kemi aplikuar”, tha Ahmeti.
Në fillim të muajit shkurt autoritetet shëndetësore kanë miratuar një udhëzues përmes së cilit lejohet trajtimi me plazmën kovalescente si terapi mbështetëse për pacientët me koronavirus.