Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, akademik Isa Mustafa, përmes një postimi në facebook ka shkruar se LDK garon për fitore në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë.
“Ne po garojmë për fitore. Po garojmë të qeverisim me vendin. Po garojmë që Kosovës t’i ofrojmë perspektivë zhvillimore, demokraci të mirfilltë parlamentare, ta bëjmë pjesë të rëndësishme evropiane; të fuqizojmë bashkëpunimin e domosdoshëm me SHBA-të”, ka shkruar Mustafa, përcjellë “Bota sot”.
“Kërkoj votën tuaj për Kryeministrin Hoti, për kandidatët tanë për deputetë: të votoni ministrat tanë të suksesshëm, deputetët që kanë mbrojtur interest tuaja, kryetarët e suksesshëm të komunave, ekonomistët, ingjinierët, profesorët, mësuesit, ndërmarrësit, bujqit, fermerët, juristët, clirimtarët; të votoni gratë, të rinjtë e burrat që frymojnë dije e përgjegjësi për këtë vend e për këtë popull”, ka shkruar ndër tjerash kreu i LDK-së, Isa Mustafa, përcjellë “Bota sot”.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë
Ne po garojmë për fitore. Po garojmë të qeverisim me vendin.
Po garojmë që Kosovës t’i ofrojmë perspektivë zhvillimore, demokraci të mirfilltë parlamentare, ta bëjmë pjesë të rëndësishme evropiane; të fuqizojmë bashkëpunimin e domosdoshëm me SHBA-të.
Si Kryetar i LDK-së jam i bindur se juve, qytetarëve të respektuar, ua kemi ofruar një kandidat të ditur, të pjekur dhe të sprovuar për Kryeministër, z. Avdullah Hoti.
Ua kemi propozuar Listën me kandidatë për deputetë, që meritojnë respektin, përkrahjen dhe votën tuaj.
Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet besnike ndaj vlerave të saj. Vlerat e LDK-së janë vlera evropiane, të cilat i ndajmë dhe i kultivojmë në familjen e EPP-së.
Për ne vlerë mbi vlerat është shteti ynë.
Republika e Kosovës, shtet i demokracisë perëndimore që kultivon partneritet me BE-në dhe miqësi të përhershme me SHBA-të.
Shteti është mbi të gjitha!
Për Lidhje demokratike të Kosovës, vlerë e veçantë është familja, integriteti i saj, kujdesi, edukimi, ardhmëria e fëmijëve; perspektiva e të rinjëve;
Besimi në zot është fundamenti yni si parti konzervatore; besimi në zot na bënë që të besojmë në njëritjetrin të kemi harmoni dhe solidaritet, të ndajmë fatin e përbashkët.
Ekonomia e tregut, iniciativa private, konkurrenca e lirë janë bazë e zhvillimit tonë. Tregu që aspirojmë është tregu unik evropian; është hapësira ekonomike evropiane; është lëvizja e lirë e qytetarëve pa viza; lëvizja e mallrave tona në vendet e BE-së.
Ekonomisë së tregut ia njohim edhe karakterin social, sepse pjesë e saj integrale janë edhe ata që kërkojnë punë, ata që kanë përkujdesje sociale dhe ata që s’mund të punojnë.
Ne kujdesemi për të gjithë.
Shëndeti juaj, qytetarë të nderuar, është shëndet i shtetit tonë; është zotim yni i fortë për ta ruajtur me të gjitha masat.
Ne respektojmë rivalët tanë politik, respektojmë të drejtën demokratike të çdo njeriu dhe të çdo subjekti politik për të garuar. Respektojmë dëshirën e tyre për të qeverisur.
Nuk miratojmë dukuritë dhe tendecat për kapjen e shtetit; etjen për “krejt” pushtetin; për totalitarizëm dhe autokraci.
Të gjithë ne, përveç atyre që kanë lindur pas lufte, e kemi provuar dhe kemi sprovuar karakterin e shtetit totalitar, të njëmendësisë politike. Nuk duhet të lejojmë ta përjetojmë edhe njëherë në asnjë formë dhe në asnjë variant.
Ne përkrahim ndryshimin, por jo çdo lloj ndryshimi. Jo ndryshimin si propagandë.
Ndryshimi për LDK-në është ai që e forcon shtetin e Kosovës, e bënë më funksional, që na siguron njohje të reja dhe përmbyllje të plotë të shtetësisë, me njohje nga 5 vende të BE-së, anëtarësim në OKB dhe në NATO.
Këto ndryshime më së miri i bënë LDK, si parti shtetformuese.
Sot nuk kërkoj votën për veten time. Por edhe sot ju falënderoj shumë për votën dhe besimin që ma keni dhënë atëherë kur e kam kërkuar.
Sot kërkoj votën tuaj për Lidhjen Demokratike të Kosovës, për fortesën e shtetndërtimit; kullën e lirisë dhe të demokracisë.
Kërkoj besimin tuaj për programin dhe vizionin tonë për shtetin.
Kërkoj votën tuaj për Kryeministrin Hoti, për kandidatët tanë për deputetë: të votoni ministrat tanë të suksesshëm, deputetët që kanë mbrojtur interest tuaja, kryetarët e suksesshëm të komunave, ekonomistët, ingjinierët, profesorët, mësuesit, ndërmarrësit, bujqit, fermerët, juristët, clirimtarët; të votoni gratë, të rinjtë e burrat që frymojnë dije e përgjegjësi për këtë vend e për këtë popull.
Juve anëtarëve të LDK-së, besnikëve tanë, ju garantoj se interesat e LDK-së dhe interest e Kosovës do ti vejmë në çdo kohë dhe në çdo situatë para interesave personale. Se do ta ruajmë vitalitetin dhe unitetin tonë dhe do të jemi të përgjegjshëm për të gjitha sfidat që na presin.
Zoti ju bekoftë për besimin tuaj!