U.d së presidentit, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një bisedë me televizionin e njohur amerikan CNN. Krenar për paraqitjen e Osmanit para gazetares më të famshme në botë Christiane Amanpour, është shprehur drejtori i Institutit EPIK Demush Shasha, përcjell Bota sot.
Ai ka thënë se biseda e Osmanit nuk ishte e rëndësishme vetëm në aspektin simbolik, por sipas tij, raportimi ndërkombëtar lidhur me lajmet për Kosovën po ndryshon.
“Për vite me radhë Kosova ka zënë tituj ndërkombëtar me lajmet e lidhura me krimin dhe korrupsionin. As kontratat milionëshe për kompanitë prestigjioze marketingu nuk kanë bo punë”, ka shkruar Shasha në një postim në Facebook.
Postimi i tij i plotë:
Sot Vjosa në bisedë me gazetaren më të famshme në botë sjelli Kosovën para ekraneve të miliona njerëzve në mbarë botën. Duhet të pranoj që ishte ndjenje e veçantë të ndihesh krenar me përfaqësimin që Vjosa i bënte Kosovës në CNN. Pak a shumë sikur me shiku finalen e Majlinda Kelmendit në Olimpiadë apo Dua Lipën në Grammys.
Biseda e Vjosës me Amanpour nuk ishte vetëm e rëndësishme në aspektin simbolik. Për pak minuta Vjosa foli për potencialin e rinisë së Kosovës, vizionin për një Kosovë prosperuese dhe nevojën për të mbajtur Serbinë përgjegjëse për krimet në Kosovë.
Për vite me radhë Kosova ka zënë tituj ndërkombëtar me lajmet e lidhura me krimin dhe korrupsionin. As kontratat milionëshe për kompanitë prestigjioze marketingu nuk kanë bo punë.
Me kalimin e çdo dite kjo po ndryshon.