Këtë të dielë, 1.8 milionë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote do të zgjedhin midis 28 partive politike që garojnë për parlamentin e ri. Të gjitha sondazhet parashikojnë Lëvizjen Vetëvendosje dhe liderin e saj Albin Kurti, si fitues.
Kurti do të garojë së bashku me Presidenten në detyrë, Vjosa Osmani.
“Është koha për referendum. Në këtë 14 shkurt, ju do të vendosni për një të ardhme më të ndritshme, ku Vjosa si presidente dhe unë si kryeministër do të jemi përgjegjës, të përkushtuar dhe do ju shërbejmë ju. Besoni Vjosën dhe më besoni mua”.
Megjithatë, të gjithë krerët e partive i kanë sytë drejt çmimit të madh: postin e Kryeministrit të ri.
“Jam kandidati i vetëm serioz për t’u bërë kryeministër të hënën, më 15 shkurt. Të tjerët që nuk kanë të drejtë të jenë në listë, mendoj se e dini që nuk mund të jenë as kandidatë”, u shpreh Enver Hoxhaj, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës, partia në pushtet që prej qershorit të shkuar, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, megjithatë ka ende pritshmëri të larta për të qenë fituese.
“Presim të konfirmohemi qartazi si parti e parë, me fitore të thellë. Ju garantoj se sondazhet e vërteta do të shihen të dielën kur të vendosë populli”, u shpreh Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.
Lufta kundër korrupsionit, ekonomia e përkeqësuar si pasojë e COVID-19 dhe dialogu me Serbinë do jenë ndër çështjet kryesore me të cilat do të merret qeveria e re.
“Popullata lokale në Kosovë pret nga qeveria pas zgjedhjeve që të trajtojë së pari korrupsionin. Në skenën ndërkombëtare kjo elitë e re që do të marrë pushtetin pas 14 shkurtit pritet të arrijë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë”, tha Jeta Xharra, drejtore e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).
Zgjedhja e presidentit të ri pritet të luajë një rol të rëndësishëm në formimin e koalicioneve qeverisëse. Disa i kanë bërë të qarta pretendimet e tyre për postin.
“Do të ruajmë ekuilibrat e pushtetit, do të ruajmë demokracinë parlamentare, ndarjen e pushteteve: legjislative, juridike, ekzekutive dhe presidenciale”, tha Ramush Haradinaj, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Rezultati i zgjedhjeve të së dielës nuk pritet të jetë një surprizë e madhe për ish-Kryeministrin Albin Kurti, i cili fitoi zgjedhjet në tetor të vitit 2019, por qeveria e tij u rrëzua pas vetëm 51 ditësh pas një mocioni mosbesimi në parlament.