Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Heiko Mass, ka thënë rregullimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është një nga kushtet për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Mass ka theksuar se heshtja e cila ishte në komunikimin mes Kosovës dhe Serbisë është përfunduar në verën e kaluar.
“Kjo tani hap një mundësi të mirë për t’u përdorur për të gjetur një zgjidhje në formën e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Një marrëveshje e tillë do të mundësonte anëtarësimin në BE në të ardhmen, kjo do të ishte me rëndësi të madhe për të ardhmen e njerëzve në Serbi dhe Kosovë”, ka thënë Mass për gazetën serbe “Kurir”.
Këtë deklaratë e ka komentuar profesori dhe analisti Milazim Krasniqi. Sipas tij, qëllimi i Serbisë është të afrohet me BE-në, të marr sa më shumë fonde dhe strategjikisht të mbetet e lidhur me Rusinë. Krasniqi në një postim në Facebook, thotë se Serbia nuk është e interesuar me hy në BE. Sipas tij, këtë lojën e Serbisë nuk po e kupton BE-ja, prandaj i bëjën presion Kosovës gjoja për marrëveshje, kurse Serbia nuk dëshiron këtë.
Postimi i plotë:
“Kryediplomati gjerman: Kosova është kusht për hyrjen e Serbisë në BE” Koment: as kryediplomati gjerman e as të tjerët në BE nuk po e kuptojnë kryeproblemin: Serbia nuk është e interesuar për hyrje të plotë në BE. Ajo e ka objektiv të afrohet më BE-në, për të marrë sa më shumë fonde, ndërsa strategjikisht të mbetet e lidhur me Rusinë. Duke mos e kuptuar lojën e Serbisë, BE i bëjnë presion Kosovës, gjoja për marrëveshje, ndërsa Serbia nuk dëshiron as marrëveshje, sepse duke qenë faktor destabilizuese, (ndaj BeH, MZ e Kosovës) po përfiton më shumë. Diplomacia në Evropë duket infantile në këtë rast. Ose luajnë lojë edhe ata, duke ia bërë me sy Rusisë e duke ia bërë bërryl SHBA-së.