Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha të hënën se do të tërhiqet nga drejtimi i partisë pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të së dielës.
Kur janë numëruar mbi 99 për qind të votave të hedhura në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, lëvizja Vetëvendosje është fituese e thellë e tyre.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.88 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 17.36 për qind, Lidhja Demokratike me 13.08 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.40 për qind.
Zoti Mustafa tha pas mbledhjes së kryesisë së partisë së tij se rezultati është shumë i keq për Lidhjen Demokratike.
"Vota e qytetarëve është ajo e cila respektohet dhe në shenjë të respektimit të kësaj vote dhe të hapjes së rrugëve mëtutjeshme për riorganizim të LDK-së, unë sot e kam njoftuar kryesinë se do ta thërras Kuvendin e LDK-së për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së në një periudhë të shpejtë kohore. Me statut e kemi 60 ditë që ta bëjmë këtë, por do ta bëjmë shumë më shpejt në mënyrë që LDK-ja të ketë së shpejti kryetarin e ri. Në ndërkohë ne do të bëjmë të gjitha përgatitjet përmes kryesisë në mënyrë që ky proces të kryhet sa më me sukses. Unë vlerësoj se barti një përgjegjësi objektive si kryetar i LDK-së për këtë që na ka ndodhë pavarësisht se vet nuk kam qenë në proces të zgjedhjeve por dua ta ruaj të LDK-në, dua që LDK të forcohet dhe të rikthehet si forcë e rëndësishme politike sepse i nevojitet Kosovës dhe na nevojitet neve", tha zoti Mustafa.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se në zgjedhjet e së dielës morën pjesë 47 për qind e 1 milion e 794 mijë votuesve rë regjistruar, një pjesëmarrje më e lartë sesa ajo në zgjedhjet e vitit 2019 kur votuan 44 për qind e votuesve të regjistruar.
Fitorja e lëvizjes Vetëvendosje është më e thella që ka shënuar ndonjë parti politike të tetë palë zgjedhje që nga përfundimi i luftës në Kosovë.
Mbështetës të kësaj lëvizjeje kremtuan mbrëmë pas publikimit të rezultateve të para me gjithë thirrjet e këtij subjekti që të mos kremtohet për shkak të motit të ligë dhe drojës nga pandemia Covid-19.
Kryetari i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti dhe udhëheqësja e listës Guxo, Vjosa Osmani thanë mbrëmë se zgjedhjet e së dielës ishin një referendum.
“Nuk do të hakmerremi ndaj askujt por do të kërkojmë përgjegjësi ndaj secilit dhe kudo, pra drejtësi pa hakmarrje. Kjo fitore nuk është për mua dhe as për lëvizjen Vetëvendosje, kjo është fitorja juaj prandaj secili prej nesh duhet të marr përgjegjësinë që ta bëjmë vendin tonë një vend të jetueshëm për të gjithë ashtu siç i dashur për të gjithë”, tha zoti Kurti.
“Ky assesi nuk është një mandat për hakmarrje e po ashtu nuk është një mandate i kthimit prapa. Ky është kapitull i punëve që do të kryhen, është mandate kur ne nderojmë historinë tonë të përbashkët kur ne e garantojmë mirëqenien, e luftojmë me ngulm dhe pa kompromis korrupsionin, sigurojmë drejtësisë dhe punojmë me zell të madh për barazinë”, tha zonja Osmani.
Zoti Kurti tha ndërkaq se nuk do të jenë përparësi e punës së tij bisedimet me Serbinë.
“Nuk do ta kemi prioritet ne formimin e ekipit të dialogut me Serbinë, ju e dini shumë mirë që në të gjitha matjet e opinionit publik dialogu me Serbinë është herë në vendin e gjashtë e herë në vendin e shtatë, neve na kanë zgjdhur këta qytetarë dhe ne u përgjigjemi atyre, prioritet e kemi drejtësinë dhe punësimin”, tha zoti Kurti.
Por këto bisedime bashkë më rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë së COVID-19 që çoi në rënie ekonomike dhe rritje të papunësisë, pritet të jenë ndër sidat e para të institucioneve të reja të Kosovës./VOA