Një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, profesori Milazim Krasniqi, ka komentuar dorëheqjen e Isa Mustafës nga pozita e kreut të partisë.
Por kjo dorëheqje sipas Krasniqit është e vonuar. Madje ai thotë se Mustafa nuk do të duhej të ishte asnjëherë kryetar i LDK-së.
Krasniqi tha se kryetari tashmë në dorëheqje i LDK-së, Isa Mustafa, ka një prejardhje të kundërt me këtë parti.
“Dorëheqja e Mustafës është ekstremisht e vonuar. Kurrë su dashtë me kanë kryetar i LDK-së, sepse ai ka një prejardhje të kundërt me LDK. Por në lojërat e pista brenda LDK-së, është kriju një hapësirë për kontrabandimi ne një figure të tillë“, deklaroi Krasniqi.
Sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, ku LDK pësoi humbje të thellë duke marrë vetëm 13,08% të votave, Krasniqi e cilësoi si “humbje katastrofale“.
“Është humbje katastrofale. Është në kundërshtim me historinë e saj, kontributin e saj dhe pritshmërinë e anëtarëve të saj. Pë rata që i njohin rrethanat, kjo humbje është epilog i pashmangshëm pasi LDK ka tregu mungesë ndaj pritshmërive të njerëzve“, tha Krasniqi.
Profesori universitar beson se LDK megjithatë mund të reformohet.
“Unë besoj që LDK duhet të provoj të korrigjoj gabimet. Korrigjimi i gabimit nëse ajo e ndërron statutin që e pamundëson garën brenda partisë. Konsideroj që LDK duhet ta praktikojë parimin një anëtar një votë në zgjedhjen për kryetar të partisë“, tha Krasniq.
Krasniqi në një prononcim për Reporteri.net, i ka uruar VV-së fitoren në zgjedhjet e 14 shkurtit, ndonëse ai thotë se është skeptik nëse VV do ti realizojë premtimet e bëra.