Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, ka dërguar një mesazh urimi për Kosovën për nder të 13 vjetorit të pavarësisë nëpërmjet një letre dërguar ushtrueses së detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani.
“Me rastin e festës kombëtare ju përcjell Juve dhe popullit mik kosovar urimet më të mira nga Republika italiane.
Qëndrueshmëria e marrëdhënieve mes vendeve tona dëshmohet nga intensiteti i lartë i dialogut politik dhe bashkëpunimit dypalësh, i cili ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë vitit të fundit edhe në kontekstin e sfidave të përbashkëta të paraqitura nga pandemia”, thuhet në letër, transmeton KlanKosova.
“Italia qëndron përkrah Kosovës në rrugën e reformave dhe konsolidimit institucional. Integrimin e Prishtinës në institucionet europiane e konsiderojmë si një hap me rëndësi primare në kompletimin e ndërtimit të shtëpisë së përbashkët europiane dhe me të njëjtën bindje vazhdojmë të mbështesim dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuar nga Bashkimi Europian”.