Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden i ka dërguar një letër ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmanit.
Në këtë letër, presidenti Biden i ka uruar Osmanit përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Këtë letër të presidentit Biden e ka komentuar ish-ambasador Sabri Kiçmari.
Ai në postimin e tij në Faceboook, ka thënë se presidenti Biden ka dhënë mesazhe të qarta.
Sipas tij, njëri ndër mesazhet është gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me Qeverinë e ardhshme.
“Këto mesazhe të qarta flasin për një orientim të qartë, të drejtë dhe të pritur nga Administrata e re e SHBA”, ka shkruar në Facebook.
Postimi i plotë:
Tri mesazhe shumë miqësore të Presidentit Biden
Presidenti i SHBA Joe Biden ka rikonfirmuar pritjet tona për qëndrimin e tij mbështetës të Republikës së Kosovës. Letra e urimit drejtuar ushtrueses së detyrës së Presidentes z. Vjosa Osmani përmban tri mesazhe shumë miqësore dhe shumë të rëndësishme:
Presidenti Biden shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me Qeverinë e ardhshme që do të dalë nga zgjedhjet e reja.
Ripërsëritet qëndrimi se Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ketë për bazë njohjen e ndërsjellë.
Ritheksohet lidhja e ngushtë e Presidentit dhe familjes së tij me Kosovën, në nderim të djalit të Presidentit Beau Biden, i cili ka shërbyer për paqe, drejtësi dhe shtet të së drejtës në Kosovë.
Këto mesazhe të qarta flasin për një orientim të qartë, të drejtë dhe të pritur nga Administrata e re e SHBA. Politika jonë e jashtme duhet t’i marrë në konsideratë me vëmendje të shtuar këto mesazhe shumë miqësore nga miku më i mirë i vendit tonë.