Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, ka uruar shtetin e Kosovës për përvjetorin e 13-të të Pavarësisë.
Ai ka thënë se arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, të përqendruar te njohja reciproke, do të kërkojë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis nga të dyja palët.
Por, në mesazhin e tij, Blicken nuk e përmend askund marrëveshjen e Washingtonit, të 4 shtatorit 2020, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë.
Këtë e ka vërejtur edhe drejtori i Institutit EPIK Demush Shasha, i cili ka thënë se kjo është hera e tretë që një zyrtar i lartë amerikan nuk e përmend fare Marrëveshjen e Washingtonit, përcjell Bota sot.
Shasha ka thënë se në ditët e ardhshme, disa pika nga kjo marrëveshje do të vazhdojnë të mbështetën nga administrata Biden, por ato do të ristrukturohen në kuadër të politikës së re të SHBA-ve për Kosovën.
Postimi i plotë i Shashës në Facebook:
Kjo është tani hera e tretë që niveli i lartë politik i SHBA-ve nuk përmend fare Marrëveshjen e Washingtonit. Në diplomaci nuk ka rastësi. Ne veçanti kur një marrëveshje e sposton vet sponsorizuesi i saj. Por, le te pranojmë edhe këtë interpretim gjeneroz. Hera e parë - rastësi. Hera e dytë - rastësi. Hera e tretë është rastësi?
Ajo çfarë do të shohim ditët në vazhdim është që disa pika të marrëveshjes do të vazhdojnë të mbështeten nga administrata Biden, pasi që kanë qenë produkt i politikës konsistente të SHBA-ve ndaj Ballkanit. Sidoqoftë ato nuk do të jenë më pjesë e kornizës së zbatimit të marrëveshjes së Washingtonit, por do të ristrukturohen në kuadër të politikes së re te SHBA-ve për Ballkanin dhe Kosovën. Një politikë e re, e cila do ta ketë në thelbin e saj partneritetin tradicional transatlantik dhe jo shovinizmin politik.