Valbon Krasniqi, para gjashtë ditësh, edhe zyrtarisht mori aminin nga Bordi i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës si drejtor i këtij institucioni.
Në fakt, Krasniqi këtë pozitë e ka ushtruar për shtatë muaj.
Ndonëse Krasniqi është infektolog dhe mungesa e kësaj lëmie u pa dukshëm në këtë kohë pandemie, kreu i SHSKUK-së nuk është se nuk e bën më këtë punë, teksa tregon që nuk shkon në shtëpi pa i vizituar disa pacientë në Klinikën Infektive.
Megjithatë, kreu i SHSKUK-së i ka të qarta prioritetet në këtë mandat katërvjeçar, përfshirë këtu rritjen e disiplinës së stafit shëndetësor dhe llogaridhënies.
Përveç punëve logjistike, Krasniqi synon edhe zhvillime kapitale në institucionin të cilin e drejton.