Lajmi për suspendimin e 12 minatorëve të “Trepçës”, për shkak të pjesëmarrjes së tyre në grevë ditë më parë, nuk është i saktë.
Këtë e ka bërë të ditur për KosovaPress, drejtori i minierës me flotacion “Trepça”, Nexhat Dedia.
Sipas tij, përkundër që punëtorët kanë bërë shkelje të rregullores së punës, ata nuk janë suspenduar, por vetëm u është tërhequr vërejtja.
“Nuk është suspenduar asnjë punëtor. Pavarësisht se kanë shkelur rregulloren e punës, atyre u është tërhequr vërejtja dhe asgjë më shumë. Puna në minierë është duke vazhduar me kapacitete të plota”, ka thënë shkurt Dedia.
Edhe kryetari i Sindikatës së punëtorëve të “Trepçës”, Gani Osmani, ka konfirmuar se punëtorëve vetëm u është tërhequr vërejta.
“Nuk ka suspendim nga puna, vetëm u është tërhequr vërejtja dhe çdo gjë është në rregull”, theksoi për KosovaPress Osmani.
Në paraditen e së enjtes rreth kësaj çështje ka shkruar edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Ai iu është referuar lajmit për largimin e tyre nga puna, për çka thotë se është i papranueshëm.
“Largimi i minatorëve të “Trepçës” nga puna vetëm pse kërkuan të drejtën e tyre elementare, për marrjen e pagave me të cilën mbajnë familjet e tyre është i papranueshëm. Kërkoj nga menaxhmenti i ‘Trepçës’ shfuqizimin e këtij vendimi absurd dhe kthimin e minatorëve në vendin e tyre të punës. Para se të merren me masa disiplinore ndaj minatorëve, menaxhmenti duhet të punoj më shumë për rritjen e prodhimit, ndaljen e shpenzimeve të panevojshme, përmirësimin e kushteve të punës për minatorët dhe ngritjen e të hyrave të ‘Trepçës’”, ka shkruar ai.