Anton Quni për largimin e Vjosa Osmanit: Jo që na ka lënë shenjë, por na ka përgjysmuar

Aktuale

Anton Quni për largimin e Vjosa Osmanit: Jo që na ka lënë shenjë, por na ka përgjysmuar

Më: 19 shkurt 2021 Në ora: 22:02
Vjosa Osmani dhe Anton Quni

Anton Quni i LDK’së e ka komentuar largimin e ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, nga Lidhja Demokratike.

Quni ka thënë se largimi i saj e ka dëmtuar LDK’në në atë masë, sa që iu janë përgjysmuar votat këtij subjekti politik.

“Jo që na ka lanë shejë, por e ka përgjysmu Lidhjen Demokratike të Kosovës. E ka humbur përgjysmë forcën e Lidhjes Demokratike”, ka deklaruar ai.

“Mund të them që ajo ka qenë më e zëshmja brenda takimeve të Kryesisë së LDK’së, ku duhej ta gjenim mënyrën për të mos ardhur deri te transformimi i qeverisë. Ajo nuk ka ndërruar qëndrim”, ka thënë tutje Ministri i Mbrojtjes në detyrë.

“Ajo më këmbëngulësinë e saj, ajo thjesht, filloi të identifikohej si personalitet që tani fillon të krijojë favore për Lëvizjen Vetëvendosje. Pastaj filluan zëra brenda Kryesisë ku thuhej se Osmani është kundër interesave të kryesisë së LDK’së, derisa ne u sfiduam si anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm për të votuar për lirimin e saj nga përgjegjësitë që i ka bartur në LDK”.

“Nuk ishte përjashtim, ajo ishte nënkryetare dhe anëtare e Kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm në LDK. Nuk më kujtohet saktë formulimi, por bëhej fjalë për nënkryetare dhe anëtare e Kryesisë. Edhe këtë hap e kam parë të gabueshëm që do të krijojë pasoja dhe prandaj nuk kam votuar që Osmani të largohet. Kam votuar kundër”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat