Elvis Hoxha, ish-këshilltari i Albin Kurtit, i ka reaguar ministrit shqiptar të Diasporës Pandeli Majkos, i cili deklaratën e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje për bashkim kombëtar e quajti “ide të shekullit të kaluar”.
Hoxha ka thënë se ideja për bashkimin e shqiptarëve mbetet dhe punon nëpër histori dhe politikë, përderisa ideja e Jugosllavisë është e shekullit të kaluar dhe e mbyllur.
Ai ka theksuar se Majko do të duhej të përdorte fjalë të tilla për Minishengenin” si projekt kundër shqiptarëve, e jo të fliste kundër bashkimit të shqiptarëve.
Postimi i Hoxhës në Facebook:
Ideja e bashkimit të shqiptarëve është çështje e çdo shekulli dhe çdo breznie shqiptarësh. Askush nuk e ka hapur e askush nuk mund ta mbyllë. Brezni të caktuara mund ta harrojnë. Politikanë të caktuar mund ta anashkolojnë. Por ideja mbetet dhe punon nëpër histori dhe politikë.
Ideja e Jugosllavisë është e shekullit të kaluar. Ajo është ide e mbyllur, projekt i vdekur. Minishengeni që e ka marrë përsipër ta rijetësojë nuk është projekt shqiptar, por i dikujt tjetër, ndaj dhe nuk na takon as si ide dhe as si projekt.
Do të ishte më e udhës që Majko të kishte përdorur një gjuhë dhe fjalë të tilla për minishengenin e jo për bashkimin e shqiptarëve.