Fakulteti Jurdik i Universitetit të Prishtinës ka reaguar pas videos të publikuar ku profesori i këtij fakulteti, Xhafer Tahiri, shihet sikur ka dashur me forcë ta fusë brenda në klasë një studente të tij derisa ajo po refuzonte.
Në sqarimin e këtij fakulteti mbështetet deklarimi i Xhafer Tahirit i cili ka thënë se studentja në fjalë ka kopjuar në provim dhe e njëjta bashkë me testin ka dashur të largohet nga salla pa u identifikuar.
“Zyra e Dekanit të Fakultetit Juridik ka kontaktuar me dy profesoreshat e lartpërmendura dhe me Mr.sc.Xhafer Tahiri. Dr.sc Emine Avdyli dhe Prof. Dr. Flutura Tahiraj kanë konfirmuar që studentja e përfshirë në video incident ka kopjuar në provim, pastaj ka refuzuar të identifikohet dhe ka tentuar qe bashkë me testin të largohet nga salla. Pas kësaj, bartësit e lëndës Dr.sc. Emine Avdyli dhe Mr.sc.Xhafer Tahiri kanë tentuar ta ndalin studenten në fjalë për ta identifikuar me qëllim të zbatimit të masave dhe inicimit të procedurës disiplinore, siç parashihen me Statutin e UP-së”.
Aty thuhet se s’ka pasur dhunë apo sjellje të ngjashme, derisa për këtë përmenden edhe dy profesoreshat – Emine Avdyli dhe Flutura Tahiraj – që thuhet se si dëshmitatare të këtij rasti e konfirmojnë këtë.
“Po ashtu, dy profesoreshat Dr.sc Emine Avdyli dhe Prof. Dr. Flutura Tahiraj konfirmojnë se nuk ka pasur asnjë dhunë apo sjellje tjetër të ngjashme, siç është paraqitur në publik (rrjete sociale dhe portale). Andaj përtej këtyre pamjeve dhe videos së shfaqur, është konstatuar se provimi në lëndën në fjalë është mbajtur sipas standardeve që kërkohen”.
Në këtë sqarim të Fakultetit Juridik flitet edhe për dukurinë e kopjimit për çka thonë se janë duke ndërmarrë hapa konkretë për ndaluar.
“Fakulteti Juridik dhe personeli akademik i tij mbetën të përkushtuar të ndalojnë dukurinë e kopjimit dhe sjelljet e tjera negative të cilat janë shfaqur në provime dhe aktivitet tjera të studentëve. Për me tepër, është shqetësues fakti kur këto fenomene tentohet të pasqyrohen negativisht në raport me integritetin e personelit akademik të fakultetit”.
“Me qëllim të parandalimit të dukurisë se kopjimit në provime, nga Fakulteti Juridik janë duke u ndërmarrë hapa konkret në muajt e fundit, e kjo edhe me qëllim që studentëve të përkushtuar t’u ofrohet një ambient objektiv i mësim-nxënies që mundëson një vlerësim dhe formim cilësor për juristët e rinj”