Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj i ka bërë thirrje partive opozitare të mos ia bëjnë korumin Kurtit për formimin e institucioneve.
Molliqaj tha se partitë opozitare duhet të qëndrojnë jashtë këtij universi.
"Konsensusi që emërues të përbashkët ka pushtetin e Kurtit është nënshtrim përballë shantazhit që ai e ka paralajmëruar qyshkur”, shkroi Molliqaj në Facebook, përcjell “Bota sot”.
Postimi i plotë
Kundër shantazhit
Partitë opozitare kanë filluar një garë negative. Kush e kush më parë t'ia bëj kuorumin Kurtit për formim institucionesh. Kështu ato do ta humbin veten edhe më tej.
Konsensusi që emërues të përbashkët ka pushtetin e Kurtit është nënshtrim përballë shantazhit që ai e ka paralajmëruar qyshkur. Pranimi i shantazhit që vjen nga rezultati i dobët është rrugë e gabuar që nuk e këndell askënd. Më mirë parlament monist sesa lustër demokracie. Qëndrimi në sallë do ta përmbushte celebrimin e natyrës së pushtetit. Mendësia totalitare disiplinon. Po, përgjigjet opozita, ne i morëm mësimet. E kundërta duhet të ndodhë. Opozita dhe secili duhet të qëndrojë jashtë këtij universi.
Po ashtu, përpjekjet për reforma nuk e arsyetojnë emrin nëse nuk zgjerohen në reflektime mbi shkaqet e humbjes dhe sidomos natyrën e pushtetit të cilit do t'i bëjnë opozitë. Në kushtet e fuqizimit të Partisë-Shtet, opozita është kusht për frymëmarrjen demokratike. Por, ajo mund të bëhet pengesë nëse nuk arrin të mbrojë e artikulojë të papërfaqësuarit, ata që për propagandën zyrtare nuk janë tamam popull. Opozita që nuk ndërton kauza nuk bënë dot projekt politik.