Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku e ka cilësuar si veprim dashakeqës publikimin e dosjes për vrasjen e disa zyrtarëve të lartë të LDK-së, pas lufte në Kosovë, nga portali i Baton Haxhiut.
Klinaku përmes një postimi në Facebook tha se ripublikimi i dosjeve të dështuara të UNMIK-ut nga ana e mediumit të Baton Haxhiut, është dashakeqës dhe me pasoja për opinionin publik.
“Ndërsa, deklaratat e Milaim Zekës e të disa eksponentëve të LDK-së, jo vetëm që kanë pasoja për publikun, por janë edhe një përpjekje e mjerë dhe për të të ardhur keq për akuzim të padrejtë të udhëheqësve të UÇK-së, të cilët po përballen me "drejtësinë" ndërkombëtare në Hagë”, deklaroi Klinaku, përcjell "Bota sot".
Postimi i plotë
Ripublikimi i dosjeve të dështuara të UNMIK-ut nga ana e mediumit të Baton Haxhiut, është dashakeqës dhe me pasoja për opinionin publik.
Ndërsa, deklaratat e Milaim Zekës e të disa eksponentëve të LDK-së, jo vetëm që kanë pasoja për publikun, por janë edhe një përpjekje e mjerë dhe për të të ardhur keq për akuzim të padrejtë të udhëheqësve të UÇK-së, të cilët po përballen me "drejtësinë" ndërkombëtare në Hagë.
Ashtu siç kanë dështuar përpjekjet për njollosjen e luftës së lavdishme të UÇK-së nga ana e Serbisë, UNMIK-ut dhe EULEX-it, poashtu do të dështojnë edhe këto përpjekje të Gjykatës Speciale dhe ndihmësve të saj.
Lufta jonë ka qenë, është dhe do të mbetet e shenjtë!
Faton Klinaku
U.D. i kryetarit të OVL UÇK-së