Lidhja Demokratike e Kosovës pritet që brenda 60 ditëve të rizgjedh kryetarin dhe kryesinë e partisë, pas dorëheqjes së Isa Mustafës dhe thirrjes së Kuvendit të LDK-së për rilegjitim të strukturave drejtuese.
Për zgjedhjet e brendshme që do të mbahen në LDK, analisti politik, Rasim Alija, vlerëson se çdo rikthim i emrave të vjetër apo ish- zyrtarëve do të dëmtonte edhe më shumë LDK-në dhe procesin zgjedhor.
Alija në një prononcim u shpreh se në këtë proces duhet të ketë struktura të reja.
“Çdo rikthim i emrave, i ish-zyrtarëve të LDK-së ish- njerëzve të LDK-së, do ta dëmtonte edhe më shumë LDK-në dhe mbi të gjitha procesin e zgjedhjes që të garantonte një proces demokratik. I gjithë procesi duhet të marrë kahje nga poshtë lartë, duke filluar nga nëndegët, degët dhe pastaj ai vullnet të reflektojë edhe në zgjedhjen e kryetarit ose kryetares së re”, thotë ai.
Ai shton, se asnjë strukturë e LDK-së e tanishme, nuk ka “nostalgji” për figurat e ish-funksionarëve të kësaj partie.
“Unë jam i bindur se asnjë strukturë e LDK-së e tanishme, nuk ka nostalgji për figurat e ish-zyrtarëve ose ish funksionarëve të LDK-së, mbi të gjitha nuk ka nostalgji as për këta që kanë qenë në pozita sepse i ka dënuar elektorati me vot duke ia pamundësuar shumicës prej tyre edhe zgjedhjen për deputet. Pra i bie që figurat e reja të jenë të paktën pjesë e kandidaturave, por kjo duhet tu lihet strukturave të LDK-së, çfarëdo rikthimi i njerëzve të ish-figurave të LDK-së, veç do t’i bënte dëm dhe do ta vononte ri këndelljen e kësaj partie”, vlerëson ai.
Sa i përket zërave që Vjosa Osmani të kthehet në krye të LDK-së, ai thotë se kjo e fundit ka ndarë rrugët me këtë subjekt dhe se gjasat të ndodh një gjë e tillë janë zero.
“Sa i përket Vjosa Osmanit besoj dhe mendoj që gjasat do të ishin zero të kthehet në krye të LDK-së, marrë parasysh këtu faktin se ajo tashmë fillon një rrugëtim të ri politik dhe i ka ndarë rrugët me LDK-në dhe kushdo që i fryen këtij opsioni për një rikthim të Omanit e ka thjeshtë për tituj në medie dhe për një huti të elektoratit të anëtarësisë së LDK-së. LDK-ja duhet të fokusohet në procesin transparent në zgjedhjen e kryetarit ose kryetares së re”, thotë ai.
Një ditë pas rezultateve zgjedhore, ku LDK-ja u rendit e treat, kryetari në dorëheqje, Isa Mustafa tha se bartë përgjegjësi objektivë për rezultatin, siç e cilësoi zhgënjyes të LDK-së.