Publikimi i dosjeve të UNMIK-ut ku jepen detaje për vrasjen e Komandant Drinit, Xhemail Mustafës, dhe plagosjen e Fetah Rudit, ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik në Kosovë.
I fundit që ka reaguar është edhe zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj.
Në faqen e tij në facebook, Gecaj ka publikuar fotografitë e dy policëve të Kosovës të cilët po hetonin vrasjet politike, Isuf Haklaj dhe Sebahate Tolaj, të dy këta të vrarë nga dora kriminale më 24 nëntor të vitit 2003.
“Jo vetëm dosjet e UNMIK-ut, por cilado informatë, mbi cilëndo vrasje politike, nga cilido individ që e posedon, duhet dhe është obligim ligjorë e njerëzor të publikohen dhe të depozitohen tek organet kompetente. Bashkëpunimi qytetarë është element esencial për shtrirjen e rendit dhe ligjit në secilin shtet demokratik, dhe rrjedhimisht ndëshkimin e kriminelëve vrastarë!”, shkruan Gecaj, përcjellë “Bota sot”.