Edhe pse sot u konfirmuan edhe 398 raste të reja me COVID-19, kosovarëve nuk po u bënë shumë përshtypje situata e tanishme me koronavirus.
Tani kur po bëhen 1 vit nga rastet e para të konfirmuara me koronavirus shumë prej qytetarëve zgjedhin që të mos respektojnë as masat elementare të vendosura në luftimin dhe parandalimin e këtij virusi, siç janë vendosja e maskës dhe respektimi i distancës.
Shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin gjatë ditës së sotme ka vizituar qytetin e Prizrenit, prej ku edhe ka kritikuar qytetarët sa i përket masave mbrojtëse anti-COVID.

Sahin tha se i duket vetja kinse është i vetmi me maskë në këtë qytet.
“Duket sikur jam i vetmi me maskë në Prizren. Kosovë, COVID-19 ende s’ka mbaruar”, shkroi ai.
Duhet përkujtuar që qytetarët gjatë javëve të fundit ishin të irrituar me situatën e krijuar nga partitë politike të cilët zhvillonin fushatë elektorale pa asnjë masë mbrojtëse dhe kësisoj kanë filluar dhe të shprehin pakënaqësitë e tyre me gjobat të cilat u shqiptoheshin qytetarëve të thjeshtë, por jo edhe politikanëve.
